Nga Gazeta ‘Si’- Administrata e presidentit Donald Trump është përballur me kritika pasi u zbulua se kishte kërkuar të dhënat telefonike të disa gazetarëve të The New York Times dhe të afërmve të tyre, në një përpjekje për të identifikuar burimet konfidenciale që kishin zbuluar informacione mbi avionin e ri presidencial Air Force One.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara në SHBA, Departamenti i Drejtësisë u ka dërguar urdhra kompanive të telefonisë për të siguruar regjistrat e telefonatave dhe mesazheve të gazetarëve.
Mes personave të përfshirë në kërkesë janë edhe familjarë të tyre, përfshirë nënën e një reporteri dhe bashkëshortët e dy gazetarëve.
Veprimi erdhi pasi The New York Times publikoi një artikull ku zyrtarë federalë shpreheshin të shqetësuar për aftësitë e sigurisë së avionit të ri Air Force One, një dhuratë nga Katari për presidentin Trump.
Raportimi shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit, ndërsa Shtëpia e Bardhë ngarkoi drejtorin e FBI-së, Kash Patel, të mbikëqyrte hetimin për rrjedhjen e informacionit.
Avokatët e The New York Times kanë kërkuar në gjykatë anulimin e urdhrave, duke argumentuar se Departamenti i Drejtësisë ka shkelur rregullat e veta për mbrojtjen e mediave. Sipas tyre, gazeta u njoftua për kërkesat ndaj kompanive telefonike vetëm një javë pasi ato ishin lëshuar, gjë që e cilësuan si një veprim “thellësisht shqetësues”.
Për momentin, të gjitha urdhrat janë pezulluar deri në vendimin e gjykatës federale. Seanca për shqyrtimin e çështjes pritet të zhvillohet këtë të enjte në Manhattan.
Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kiersten Pels, deklaroi se çdo urdhër është lëshuar në përputhje të plotë me ligjin federal dhe politikat e brendshme të institucionit, ndërsa The New York Times nuk ka bërë komente të tjera përtej padisë së depozituar në gjykatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje