Bota

Von der Leyen refuzon ftesën për finalen e Kupës së Botës

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në finalen e Kupës së Botës për meshkuj, që do të zhvillohet të dielën mes Spanjës dhe Argjentinës, duke argumentuar se ka angazhime të tjera në axhendë.

Finalja, që do të luhet në New Jersey, do të ndiqet nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe Mbreti i Spanjës Felipe VI. Megjithatë, Von der Leyen nuk do të jetë e pranishme, pavarësisht se eventi mund të kishte ofruar një mundësi për një takim joformal me Trump.

“Presidentja mori një ftesë për finalen e Kupës së Botës, por për shkak të angazhimeve në axhendë nuk do të marrë pjesë”, deklaroi zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, për POLITICO.

Edhe presidenti i Argjentinës, Javier Milei, pritet të mungojë në finale. Sipas raportimeve, ai preferon t’i ndjekë ndeshjet vendimtare nga shtëpia për arsye supersticioze.

Pak para gjysmëfinales Francë–Spanjë, Von der Leyen publikoi një foto me një top futbolli në rrjetet sociale, duke shkruar: “Kushdo që fiton sonte, një ekip i fortë europian do të jetë në finale!”

Spanja fitoi ndeshjen me rezultatin 2-0.

Gjatë javës, presidentja e Komisionit Europian vizitoi Kievin për të shprehur mbështetjen e BE-së ndaj Ukrainës dhe më pas mori pjesë në festimet e Ditës së Bastijës në Paris.

Të hënën ajo pritet të takohet në Bruksel me ish-presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, për të diskutuar mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë evropiane.

Katër shtete të Bashkimit Evropian – Italia, Spanja, Gjermania dhe Franca – fituan katër Kupa Bote radhazi nga viti 2006 deri në vitin 2018, përpara se Argjentina të shpallej kampione në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë