Menaxhim

Ligji i ri: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë të ketë imunitet nga arrestimi

Nga Gazeta ‘Si’- Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët të mos mund të arrestohen, të privohen nga liria apo t’u nënshtrohen kontrollit personal ose të banesës pa autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.

“Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t’i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve kur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi”, thuhet në nenin 72 të draftit.

Në këto raste, prokurori i çështjes duhet t’i drejtohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese për të marrë autorizimin për arrestimin ose kontrollin e banesës.

Projektligji përcakton se Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet brenda dy javëve nga paraqitja e kërkesës. Nëse nuk merr një vendim brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet e refuzuar.

Shqipëria ka pasur më parë raste të arrestimit të guvernatorëve të Bankës së Shqipërisë.

Në shtator të vitit 2014, Guvernatori i atëhershëm, Ardian Fullani, u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit të Monedhës. Në përfundim të procesit gjyqësor, ai u shpall i pafajshëm dhe më pas fitoi edhe dëmshpërblim për largimin nga detyra.

Një rast tjetër daton në vitin 1993, kur ish-guvernatori Ilir Hoti u arrestua për shpërdorim detyre, disa muaj pasi kishte lënë postin.

Aktualisht, legjislacioni shqiptar parashikon imunitet për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Për shumicën e këtyre funksionarëve, autorizimi për arrestim ose heqje të imunitetit jepet nga Kuvendi. Përjashtim bëjnë Presidenti, për të cilin vendimi i Kuvendit duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, si dhe vetë gjyqtarët e kësaj gjykate, për të cilët autorizimi jepet nga Gjykata Kushtetuese.

Me projektligjin e ri, kompetenca për të autorizuar arrestimin e Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve i kalon Gjykatës Kushtetuese, duke përjashtuar Kuvendin nga ky proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë