Nga Gazeta ‘Si’- Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës ka shkaktuar debat në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ngriti çështjen duke pyetur qeverinë shqiptare se përse ministrja serbe nuk është shpallur “non grata” në Shqipëri, ashtu siç ka vepruar Kosova.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb?”, deklaroi Muçi, duke kritikuar mungesën e një mase të tillë nga Tirana.
Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të mbajë një qëndrim më të fortë për çështjet që lidhen me Kosovën.
Përgjigjja erdhi nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili deklaroi se reagimi i qeverisë ka qenë i menjëhershëm dhe në nivelet përkatëse diplomatike.
Balla e cilësoi deklaratën e ministres serbe si “të papërgjegjshme, indinjuese dhe të rëndë”, ndërsa theksoi se qëndrimi i Shqipërisë është mbajtur nga Ministria e Jashtme dhe përfaqësuesit politikë.
“Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë. Nuk tallemi me çështjet kombëtare”, tha Balla, duke akuzuar Muçin për mungesë serioziteti.
Ai shtoi se edhe kryeministri Edi Rama ka mbajtur qëndrime të vazhdueshme për çështjen e Kosovës dhe se reagimet e qeverisë shqiptare janë bërë në nivel institucional
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje