Shkencë

Sheqer në hapësirë? Zbulimi i ri mund të hedhë dritë mbi origjinën e jetës

Nga Gazeta Si- Universi mund të jetë shumë më “i ëmbël” nga sa është menduar deri më tani. Astronomët kanë zbuluar një lloj të ri sheqeri që lundron në hapësirën ndëryjore, një zbulim që mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë se si u krijuan përbërësit e parë të jetës në Tokë.

Bëhet fjalë për eritrulozën, një sheqer që gjendet edhe në natyrë, për shembull te mjedrat, si edhe në disa produkte kozmetike vetë-nxirëse. Për herë të parë, kjo molekulë është identifikuar në hapësirën e thellë, mes reve të gazit dhe pluhurit që shtrihen midis yjeve në galaktikën tonë.

Zbulimi u realizua nga një ekip astronomësh që përdorën dy radioteleskopë në Spanjë për të studiuar një re gjigante gazi pranë qendrës së Rrugës së Qumështit. Duke krahasuar sinjalet e marra nga teleskopët me analizat laboratorike, studiuesit arritën të konfirmojnë praninë e këtij sheqeri në formë gazi.

Më shumë se një ëmbëlsues

Sheqernat nuk shërbejnë vetëm për t’i dhënë shije ushqimeve. Në organizmat e gjallë ato kanë një rol thelbësor në funksionimin e qelizave dhe në ndërtimin e molekulave si ADN-ja.

Pikërisht për këtë arsye, zbulimi i molekulave të tilla në hapësirë konsiderohet me rëndësi të veçantë. Shkencëtarët besojnë se studimi i mënyrës se si formohen këto përbërje mund të ndihmojë në zbardhjen e një prej pyetjeve më të mëdha të shkencës: si lindi jeta në Tokë?

Sipas studiuesve, eritruloza nuk është një molekulë jetike në vetvete, por ajo mund të shndërrohet lehtësisht në sheqerna të tjerë që konsiderohen thelbësorë për proceset kimike që çuan në lindjen e jetës.

Kjo nuk është hera e parë që astronomët zbulojnë molekula organike në hapësirë. Gjatë viteve të fundit janë identifikuar aminoacide, përbërës të materialit gjenetik dhe sheqerna të tjerë, madje edhe në mostrat e mbledhura nga asteroidi Bennu nga misioni OSIRIS-REx i NASA-s.

Megjithatë, eritruloza është ndër sheqernat më kompleksë të zbuluar deri më sot në hapësirën ndëryjore.

Astrofizikania Erika Hamden nga Universiteti i Arizonës, e cila nuk ishte pjesë e studimit, e cilësoi zbulimin si një tjetër dëshmi të “kimisë së pasur” që zhvillohet në galaktikë.

Sipas autorit të studimit, astrofizikanit Izaskun Jiménez-Serra, fakti që këto molekula gjenden në hapësirë nënkupton se “përbërësit bazë të jetës mund të jenë të pranishëm edhe në shumë zona të tjera të galaktikës, duke rritur mundësinë që jeta të jetë zhvilluar edhe diku tjetër në univers.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë