Menaxhim

Kuvendi i kërkon AMF-së më shumë transparencë dhe monitorim për tregun e sigurimeve

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të rrisë transparencën dhe llogaridhënien publike në procesin e vendimmarrjes së Bordit.

Në rekomandimet e miratuara pas shqyrtimit të raportit të veprimtarisë së institucionit, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale kërkon që AMF të publikojë aktet rregullatore të miratuara, ndryshimet e tyre, si edhe vendimet për masa administrative dhe korrigjuese. Sipas Komisionit, këto vendime duhet të shoqërohen me votimin individual të anëtarëve të Bordit dhe me evidentimin e rasteve kur ndonjë anëtar është përjashtuar nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit.

Komisioni thekson se publikimi duhet të respektojë parimin e proporcionalitetit, duke mbrojtur vetëm informacionin që klasifikohet si konfidencial sipas nenit 24 të ligjit nr. 9572/2006. Kjo mund të realizohet përmes anonimizimit ose redaktimit të pjesshëm të të dhënave, pa cenuar publikimin e aktit, bazës ligjore, arsyetimit dhe elementeve thelbësore të vendimmarrjes.

Mungesa e publikimit të një pjese të konsiderueshme të vendimeve të Bordit të AMF-së ka qenë vazhdimisht objekt debatesh në Kuvend. Deputetët kanë kritikuar veçanërisht mungesën e transparencës për vendimet që lidhen me masat administrative ose korrigjuese ndaj subjekteve të mbikëqyrura.

Një tjetër kërkesë e Komisionit është forcimi i mekanizmave të transparencës institucionale. AMF-ja duhet të fuqizojë rolin e koordinatorit për të drejtën e informimit dhe të sigurojë publikimin e informacionit sipas standardeve të të dhënave të hapura dhe ripërdorimit të informacionit të sektorit publik.

Komisioni rekomandon gjithashtu që AMF të monitorojë periodikisht funksionimin e sistemit të shkëmbimit të informacionit në tregun e sigurimit të detyrueshëm TPL/MTPL. Monitorimi duhet të përfshijë verifikimin e raportimit në kohë reale të policave dhe primeve të sigurimit, respektimin e kërkesave për funksionimin e sistemit, si dhe ndikimin e tij në transparencën e tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe funksionimin efektiv të tregut të sigurimeve. Për rezultatet e këtij monitorimi dhe problematikat e konstatuara, AMF-ja duhet të raportojë në Kuvend çdo gjashtë muaj.

Po ashtu, Komisioni kërkon që Autoriteti të zbatojë në kohë rekomandimet dhe vendimet e institucioneve të pavarura, duke informuar Kuvendin çdo katër muaj mbi masat e ndërmarra dhe ecurinë e zbatimit të tyre, në përputhje me detyrimet institucionale dhe standardet evropiane.

Në përfundim, Komisioni rekomandon që AMF të bashkëpunojë me strukturat përgjegjëse të Kuvendit për hartimin dhe konsolidimin e një metodologjie të standardizuar të treguesve kyç të performancës. Kjo metodologji synon të shërbejë si bazë për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të rezolutës, duke forcuar llogaridhënien institucionale dhe mbikëqyrjen parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë