Politike

PD ‘ndahet’ për qëndrimin ndaj Kuvendit: Opozita rrezikon të humbasë zërin

Nga Gazeta ‘Si’- Një debat është zhvilluar në grupin WhatsApp të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me qëndrimin që opozita duhet të mbajë për pjesëmarrjen në seancën plenare të Kuvendit.

Nga diskutimet e bëra mes deputetëve rezulton se një pjesë e tyre janë shprehur kundër bojkotit të seancës, duke argumentuar se mungesa në Parlament i heq opozitës mundësinë për të ngritur shqetësime, akuza dhe çështje me interes publik.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka argumentuar se mospjesëmarrja në seancë do t’i hiqte opozitës të vetmen platformë publike për debat dhe përballje politike.

“Në çdo rast, unë mendoj që mospjesëmarrja na heq ne të vetmen platformë publike që ne kemi për debat. E kemi provuar shumë herë mosshkuarjen dhe i dimë pasojat. Ne duhet të përdorim çdo hapësirë që kemi për përballje”, është shprehur Tabaku në grupin e komunikimit.

Sipas saj, seanca e radhës kishte rëndësi për opozitën, pasi në rend dite ishin raportimet e disa institucioneve dhe çështje që lidhen me denoncimet e saj politike ndaj qeverisë.

Edhe deputetja Ina Zhupa është shprehur kundër bojkotit, duke argumentuar se opozita nuk duhet të largohet nga Kuvendi, veçanërisht në një seancë ku do të diskutoheshin çështje që lidhen me institucionet dhe interesat e zgjedhësve.

“Me idenë e ligjeve tona që nuk futen, nuk shkon, se nesër s’ka ligje fare në rendin e ditës. Është seancë për çështje të zgjedhësve dhe rezoluta për institucionet, me rëndësi për denoncime dhe qëndrime”, mësohet të ketë shkruar Zhupa.

Ndërkohë, deputeti Bujar Leskaj ka kundërshtuar gjithashtu vendimin për të mos marrë pjesë në seancë, duke ngritur shqetësimin se opozita nuk do të kishte mundësi të reagonte për një sërë institucionesh.

“Për mendimin tim, kjo është gabim. Sipas kësaj vendimmarrjeje, ne nuk do të flasim për KQZ-në, ILD-në, AMF-në, Bankën e Shqipërisë, INSTAT-in, si edhe për kryefjalën, mbështetjen e protestës qytetare”, është shprehur Leskaj.

Debati brenda grupit parlamentar vjen në një moment kur Partia Demokratike po diskuton strategjinë e saj parlamentare dhe mënyrën e reagimit ndaj mazhorancës.

Një pjesë e deputetëve kanë kërkuar që opozita të përdorë hapësirat institucionale për denoncime dhe përballje politike, ndërsa vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen në seancë mbetet pjesë e diskutimeve brenda grupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë