Keshilla

Dermatologia Fida: Mos e nënvlerësoni diellin, mbrojtja e lëkurës nis para se të shkoni në plazh

Nga Gazeta Si- Me rritjen e temperaturave dhe frekuentimin e plazheve e pishinave gjatë sezonit veror, dermatologët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar ndaj ekspozimit në diell, duke theksuar se rrezatimi ultraviolet mund të shkaktojë dëmtime serioze në lëkurë.

Dermatologia Monika Fida rekomandon që plazhi dhe pishinat të frekuentohen në orët e para të mëngjesit, kur intensiteti i rrezatimit është më i ulët. Megjithatë, ajo nënvizon se edhe në këto orare lëkura duhet të mbrohet me kremra me faktor mbrojtës SPF 30 deri në 50+, të cilët duhet të aplikohen rregullisht.

Sipas saj, mbrojtja nuk kufizohet vetëm te kremrat. Veshja e rrobave të lehta me ngjyra të çelëta, përdorimi i kapelës dhe syzeve të diellit janë masa të rëndësishme për të reduktuar efektet e rrezeve ultraviolet.

Dermatologia thekson se më të rrezikuar nga dëmtimet e diellit janë fëmijët dhe personat me lëkurë të çelët, të cilët duhet të tregojnë kujdes të veçantë gjatë ekspozimit.

Një tjetër këshillë e rëndësishme lidhet me nxirjen artificiale. Sipas Fidës, përdorimi i solarëve për t’u nxirë përpara pushimeve është një praktikë e gabuar dhe nuk rekomandohet, pasi rrit ekspozimin e lëkurës ndaj rrezatimit të dëmshëm.

“Referuar nxirjeve artificiale nëpërmjet makinerive, është një gabim shumë i madh dhe nuk rekomandohet që ne të nxihemi paraprakisht në këto makineri dhe më pas të frekuentojmë plazhin”, thotë Fida.

Po ashtu, dermatologia këshillon që përpara sezonit të plazhit të kryhet kontrolli i nishaneve tek një specialist.

Diagnostikimi i hershëm i ndryshimeve në lëkurë është vendimtar për zbulimin në kohë të kancerit të lëkurës, përfshirë melanomën, duke rritur mundësitë për trajtim të suksesshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë