Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk duhet të shihet si një çështje e largët politike, por si një proces që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe ekonominë e vendit.
Gjatë fjalës së tij në eventin “Rilindja 2.0”, Rama u shpreh se përfitimet nga integrimi europian duhet të bëhen të prekshme për qytetarët dhe bizneset.
“Nuk mund të lejojmë që çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian të banalizohet dhe që njerëzit ta ndjejnë si një çështje që nuk lidhet me jetën e tyre të përditshme, sepse është tërësisht e pavërtetë”, deklaroi Rama.
Ai nënvizoi se “Rilindja 2.0” synon ngritjen e standardit të jetesës dhe komunitetit, e jo thjesht ndërtimin e infrastrukturës.
“Rilindja 2.0 nuk është vetëm të ndërtojmë infrastrukturë, por cilësi jete dhe bashkëjetese, jo vetëm të ndërtojmë qytetin, por edhe komunitetin.”
Në mbyllje të fjalës së tij, kryeministri sulmoi ashpër ata që ofrojnë “receta magjike” në publik, duke i quajtur “fallxhorë” dhe kërkoi një ritëm më të shpejtë pune për të mos rrezikuar arritjet e deritanishme.
“Ajo që kemi detyrë kombëtare ne është që narrativa e zgjidhjeve magjike të mos fitojë terren, sepse do të shkojmë kokëposhtë me gjithçka kemi arritur. Ne duhet të vrapojmë shpejt, shumë më shpejt. Këta që ofrojnë receta në publik janë ‘fallxhorë’. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Shkaku jemi ne.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje