Shendet

Studimi/ Humbja e 90 minutave gjumë çdo natë mund të çojë në shtim në peshë

Nga Gazeta ‘Si’- Humbja e vetëm një ore e gjysmë gjumë çdo natë për gjashtë javë mund të rezultojë me shtim rreth një kilogrami në peshë, sipas një studimi të ri të publikuar nga studiuesit e Universitetit Columbia në SHBA.

Sipas hulumtimit, mungesa e gjumit lidhet me një stil jetese më pak aktiv, duke i bërë njerëzit më të prirur për të shtuar peshë. Në studim morën pjesë afro 100 të rritur që zakonisht flinin nga shtatë deri në tetë orë në natë. Gjatë periudhës së testimit, ata e vonuan kohën e gjumit me 90 minuta.

Rezultatet treguan se pjesëmarrësit kaluan mesatarisht 17 minuta më shumë ulur gjatë ditës krahasuar me periudhën kur flinin normalisht. Tek burrat dhe gratë pas menopauzës- grupe që kanë rrezik më të lartë për mbipeshë- koha shtesë e qëndrimit ulur arriti deri në 30 minuta në ditë.

“Edhe kur morëm parasysh faktin se pjesëmarrësit ishin zgjuar për më shumë kohë, ata përsëri kalonin më shumë kohë duke qenë joaktivë sesa kur flinin mjaftueshëm,” tha Faris Zuraikat, profesor asistent në Departamentin e Mjekësisë dhe Institutin për Ushqyerje Njerëzore në Universitetin Columbia.

Sipas tij, kjo është shqetësuese pasi niveli i lartë i pasivitetit fizik lidhet me rrezik më të madh për sëmundje kronike. Mbipesha njihet si faktor rreziku për sëmundjet e zemrës, kancerin dhe diabetin e tipit 2.

Megjithëse shtimi prej një kilogrami gjatë gjashtë javëve mund të duket i vogël, studiuesit paralajmërojnë se efektet mund të grumbullohen me kalimin e kohës.

“Një kilogram shtesë për gjashtë javë mund të mos duket shumë, por modeli ynë i studimit pasqyron mënyrën se si shumë të rritur flenë për periudha të gjata. Nëse kjo vazhdon për një vit të tërë, humbja e më pak se 90 minutave gjumë në natë mund të sjellë shtim të konsiderueshëm në peshë,” tha Zuraikat.

Gjatë studimit, pjesëmarrësit kaluan gjashtë javë me gjumë të kufizuar dhe gjashtë javë të tjera me orar normal gjumi. Studiuesit monitoruan nivelin e aktivitetit fizik dhe gjumit përmes pajisjeve të vendosura në kyçin e dorës, ndërsa matën gjithashtu peshën trupore, perimetrin e belit, përbërjen trupore dhe nivelet e hormoneve që ndikojnë në oreks.

Studimi mbështet gjetjet e mëparshme që kanë lidhur mungesën e gjumit me probleme të tjera shëndetësore. Hulumtime të mëhershme mbi të njëjtët pjesëmarrës treguan se gratë që flinin rreth 80 minuta më pak për gjashtë javë zhvilluan rezistencë më të lartë ndaj insulinës, një faktor rreziku për diabetin e tipit 2. Ndërkohë, tek personat me rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare u vërejt rritje e qelizave inflamatore të lidhura me zemrën.

Rekomandimet shëndetësore sugjerojnë që të rriturit të flenë nga shtatë deri në nëntë orë çdo natë. Megjithatë, rreth një e treta e të rriturve nuk arrijnë ta plotësojnë këtë nevojë, gjë që lidhet me rritje të rrezikut për sëmundje, aksidente, vështirësi në përqendrim dhe reagim më të ngadaltë.

Disa studime paraprake sugjerojnë se ushqime të caktuara, si qumështi, peshqit e yndyrshëm, lëngu i qershive të tharta dhe kivi, mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë