Nga Gazeta ‘Si’- Një grabitje e bujshme ka tronditur Francën, pasi bizhuteri me vlerë deri në 4 milionë euro janë vjedhur nga Muzeu Lalique në Wingen-sur-Moder, në verilindje të vendit.
Sipas autoriteteve, autori ose autorët hynë me forcë në muze rreth orës 05:30 të mëngjesit të së dielës dhe shkuan direkt në sallën ku ekspozoheshin bizhuteritë. Gjatë grabitjes u vodhën rreth 20 bizhuteri, ndërsa dëmi ekonomik është ende duke u vlerësuar, por besohet se arrin në disa milionë euro.
Pas ngjarjes, drejtuesit e muzeut njoftuan se institucioni do të mbetet i mbyllur për disa ditë, ndërsa vijojnë hetimet. Edhe pse sistemi i alarmit u aktivizua, në vendngjarje mbërriti fillimisht një punonjës pastrimi, i cili konstatoi vjedhjen dhe njoftoi menjëherë policinë. Autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po punojnë për identifikimin e autorëve.
Muzeu Lalique, i hapur në vitin 2011 pranë fabrikës historike të kompanisë, i kushtohet veprës së René Lalique, një prej emrave më të njohur në artin e bizhuterive dhe qelqit në stilin Art Nouveau dhe Art Deco.
Ngjarja rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë në muzetë francezë, pas grabitjes së madhe në Muzeun e Luvrit në Paris tetorin e kaluar, kur autorët arritën të vidhnin bizhuteri me vlerë 102 milionë dollarë në më pak se tetë minuta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje