Bota

Teheran, funerali i Khamenei-t mbledh miliona qytetarë

Irani ka nisur ceremonitë madhështore të funeralit për Liderin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, i vrarë në sulmet amerikano-izraelite. Miliona njerëz pritet të marrin pjesë në homazhet që do të zgjasin deri më 9 korrik.

Khamenei, udhëheqësi më jetëgjatë i Republikës Islamike të Iranit që nga themelimi i saj në vitin 1979, u vra në moshën 86-vjeçare gjatë një sulmi ndaj rezidencës së tij në ditën e parë të bombardimeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt.

Katër muaj pas vdekjes së tij, arkivoli, mbi të cilin është vendosur çallma e zezë simbolike, është ekspozuar në Xhaminë e Madhe në Teheran. Kompleksi fetar është zbukuruar me portrete të mëdha të Khameneit, flamuj të zinj në shenjë zie dhe flamuj të kuq, që simbolizojnë martirizimin dhe hakmarrjen.

Mijëra besimtarë, shumica të veshur me të zeza, u mblodhën pranë xhamisë që në orët e para të mëngjesit, përpara hapjes së dyerve në orën 06:00 sipas kohës lokale. Shumë prej tyre mbanin flamuj të kuq me mbishkrimin “martir”, ndërsa sipas një gazetari të AFP-së, në turmë u dëgjuan thirrje si “Hakmarrje”, “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, slogane të zakonshme në tubimet zyrtare iraniane.

Autoritetet iraniane presin që vetëm në Teheran në ceremoninë mortore të marrin pjesë nga 15 deri në 20 milionë njerëz. Funerali, i planifikuar fillimisht për muajin mars, u shty për shkak të luftës dhe pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në historinë e Iranit.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 1989 rreth 10 milionë persona morën pjesë në funeralin e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini. Gjatë asaj ceremonie, mbi 10 persona humbën jetën si pasojë e rrëmujës në turmë.

Ceremonitë mortore për Ali Khamenein do të zgjasin gjashtë ditë dhe konsiderohen nga autoritetet iraniane si një demonstrim force pas luftës së nisur me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, konflikt gjatë të cilit humbën jetën edhe një numër i madh zyrtarësh të lartë politikë dhe ushtarakë.

Ndërkohë, prania e djalit të tij, Mojtaba Khamenei, i cili sipas këtij skenari e pasoi në krye të vendit në fillim të marsit, nuk është konfirmuar ende. I plagosur gjatë sulmit që i mori jetën të atit, ai ka bërë vetëm deklarata publike dhe nuk është shfaqur para qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë