Bota

SHBA dhe Irani rifillojnë bisedimet teknike në Katar

Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rifilluar bisedimet teknike indirekte në Doha, në një përpjekje për të mbajtur të hapur kanalet diplomatike mes dy vendeve, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në rajon.

Sipas një burimi me dijeni të drejtpërdrejtë për negociatat, të cituar nga Reuters, takimet po zhvillohen me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit.

Një ditë më parë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, zhvilluan një takim me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për të përgatitur terrenin për bisedimet teknike.

Megjithatë, sipas burimit, as Witkoff dhe as Kushner nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në negociatat që po zhvillohen të mërkurën.

Ministria e Jashtme e Katarit konfirmoi se gjatë takimit me delegacionin amerikan u diskutua memorandumi i mirëkuptimit mes Washington-it dhe Teheranit, si edhe përpjekjet për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal përmes dialogut dhe diplomacisë.

Në të njëjtën kohë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit deklaroi se, sipas mekanizmit aktual të negociatave, “nuk ka takime të nivelit të lartë mes palës iraniane dhe asaj amerikane”, duke lënë të kuptohet se kontaktet po zhvillohen vetëm në nivel teknik.

Rifillimi i dialogut vjen në një moment delikat. Sipas Wall Street Journal, presidenti Donald Trump ka zhvilluar ditët e fundit disa biseda me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralin Dan Caine, lidhur me mundësinë e sulmeve të reja ushtarake ndaj Iranit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë