Nga Gazeta ‘Si’- Protestat që prej një muaji zhvillohen para Kryeministrisë u kthyen në një tjetër përplasje politike në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi Partinë Demokratike se po përpiqet t’i bashkohet protestës, pasi, sipas tij, ka humbur mbështetjen e qytetarëve.
“Ju kanë marrë sheshin dhe doni t’u bashkoheni me ata që jua kanë marrë sheshin. Juve protesta ju mundi, por ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush”, deklaroi Balla.
Ai u bëri thirrje protestuesve të mos lejojnë, sipas tij, që protesta të “privatizohet” nga një grup i vogël njerëzish.
“U them protestuesve, mos lejoni t’jua vjedhin protestën. Kjo protestë është privatizuar nga një grup shumë i vogël pa asnjë lloj legjitimiteti publik”, u shpreh ai.
Balla shtoi gjithashtu se protesta nuk do të sjellë ndryshime në Partinë Demokratike.
“Kjo protestë nuk e shpëton PD. Nga kjo protestë nuk do të lindë dot një PD e re”, tha ai.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se refuzoi mocionin me debat për rezolutën e Parlamentit Evropian mbi Shqipërinë, për t’iu shmangur, sipas tij, kritikave të Brukselit.
“Sot keni refuzuar me votë vetë Parlamentin Evropian. Refuzoni debatin sepse keni frikë nga skaneri që Parlamenti Evropian i ka bërë qeverisë”, deklaroi Bardhi.
Ai tha se raporti i Parlamentit Evropian sipas tij evidenton probleme që lidhen me korrupsionin, zgjedhjet dhe krimin e organizuar, ndërsa akuzoi qeverinë se po shmang diskutimin për këto çështje.
“Nëse rezoluta është një sukses, pse refuzoni debatin për të?”, u shpreh Bardhi.
Në përfundim të diskutimeve, Kuvendi rrëzoi me 75 vota kundër dhe 19 pro mocionin me debat të kërkuar nga Partia Demokratike për pesë kërkesat e protestuesve
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje