Gazeta Si – GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn dhe me 35 vjet burg, Julian Meçen të akuzuar si organizatorë dhe porositës të atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, aktualisht deputeti i PD.
Nga të shtënat, të tre personat kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shoferi Andi Maloku, kurse ish-prokurori Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho, kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.
Për atentatin ndaj Ndojit 7 vjet më parë, SPAK thotë se Plaurent Dervishajn, pjesë e bandës së Durrësit, ka vepruar në bashkëpunim, jo vetëm me Julian Meçen, por dhe me personazhe të tjerë, si Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Këta të fundit po gjykohen veçmas.
Të dy të akuzuarit u arrestuan në Dubai dhe në gusht të vitit 2024 u ekstraduan për t’u përballur me akuzat: Dervishaj si organizatori i atentatit, ndërsa Mee si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij.
Atentati ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019, ndërsa Ndoj dhe shoferi i tij po udhëtonin në shoqërinë e Aleksandër Lahos, një personazh i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim i njohur përmes nofkës së tij “Rrumi”.
SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 persona.
Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili mbante asokohe postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.
Për ngjarjen e ndodhur në 1 nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit, Redjan Rraja u dënua në prill 2024 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit me burgim të përjetshëm si një nga atentatorët.
Fajtor u shpall edhe bashkëpunëtori i tij, Aril Halilaj, i dënuar me 35 vjet burg. Ndërsa Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i atentatit së bashku me Ramazan Rrajan, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Si Plaurent Dervishaj, ashtu edhe Julian Meçe, i shpëtuan një tentati me armë zjarri në Durrës në 20 qershor 2019 teksa udhëtonin me makinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje