Menaxhim

Rama: Program i ri për parkimet, fitimprurëse për bashkitë dhe… privatin!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se qeveria do të prezantojë një program të posaçëm për parkimet, i cili do t’u vihet në dispozicion të gjitha bashkive të vendit dhe do të shoqërohet me mekanizma të rinj financimi për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.

Duke folur në takimin me përfaqësuesit e pushtetit vendor, Rama u shpreh se programi do të ketë disa komponentë dhe do të detajohet në një konferencë të veçantë.

“Programi i parkimeve është një program i veçantë që ka disa komponentë që do t’i detajojmë në konferencën përkatëse dhe të gjitha bashkitë do ta kenë programin të shkruar me të gjithë komponentët”, deklaroi Kryeministri.

Ndonëse nuk dha detaje për tarifa parkimi, Rama theksoi se skema e re do të krijojë fitime më të mëdha për bashkitë dhe privatin, duke transformuar hapësirat që aktualisht përdoren në mënyrë informale për parkim.

“Bashkitë do të mund të bashkëpunojnë me subjektet private që do të ftohen të marrin pjesë në këto projekte, në territorin e atyre lagjeve që sot përdoren për parkime shqetësuese dhe ndotëse dhe ku faktikisht kanë të drejtën e pronës. Këto subjekte mund të angazhohen për të ndërtuar një infrastrukturë parkimesh shumë më fitimprurëse dhe shumë më miqësore me komunitetin”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se qeveria po punon për disa modele financimi të projekteve të parkimit, duke përfshirë investimet e drejtpërdrejta dhe partneritetet me pushtetin vendor.

“Për parkimet kemi disa formula. Përveç financimit direkt përmes ndërtimit të tyre përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe krijimit të partneriteteve me bashkitë, siç kemi disa raste të suksesshme, si ai i Beratit dhe Gjirokastrës, që kanë lehtësuar vizitat në këto qytete të trashëgimisë kulturore, kemi edhe një formulë tjetër për t’u mundësuar bashkive që të aksesojnë bankat me projekte specifike për ndërtimin e parkimeve”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se ndërhyrjet në infrastrukturën e parkimeve dhe në rrjetin e komunikimeve elektronike janë pjesë e përpjekjeve për të rritur standardet urbane, për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytete dhe për të afruar më tej standardet e zhvillimit lokal me ato të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë