Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria shqiptare prezantoi një nismë që synon modernizimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike në të gjitha bashkitë e vendit.
Në qendër të diskutimeve ishte sistemimi i kabllove ajrore, heqja e strukturave të improvizuara dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore, një proces që qeveria e konsideron thelbësor për rritjen e standardeve të qyteteve shqiptare.
Kryeministri Edi Rama theksoi se sistemi aktual i kabllove ajrore është sipas tij trashëgimi e mungesës së planifikimit dhe vëmendjes në të kaluarën, duke e konsideruar këtë ndërhyrje si një domosdoshmëri urgjente.
“Është tani e mundur që të pastrojmë qytetet nga gjithë ato fije plastike merimangash të një kohe që ka pasur pasojat e veta. Pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty si shenjë e harresës”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se procesi kërkon disiplinë të lartë organizative dhe bashkëpunim të ngushtë me bashkitë, të cilat sipas tij janë aktorët kryesorë në zbatimin e reformës urbane.
Rama bëri të ditur gjithashtu se në fillim të korrikut qeveria do të lançojë një program të ri strategjik të quajtur “Rilindja Kombëtare 2.0”, i cili do të fokusohet në zhvillimin e komuniteteve dhe territorit.
Sipas tij, programi po përgatitet në bashkëpunim me bashkitë dhe nën drejtimin e ministrit Demo, duke synuar ndërhyrje gjithëpërfshirëse në infrastrukturë, shërbime publike dhe investime të mbetura pezull.
“Ka ardhur koha të marrë një drejtim shterrues, të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të painvestuara, janë në fakt shumë më pak se sa pjesë të investuara të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Do duhet një ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe për t’i dhënë përgjigje edhe atyre nevojave të mbetura të paadresuara të segmentit akoma të munguar të rrjetit të përgjithshëm.
Së dyti, do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin urban dhe interurban. Pika më e dobët është transporti i sezonit të pikut kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët të lëvizin me mjete të transportit publik. Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë kur transporti të jetë plotësisht i gjelbër, me autobusë elektrikë dhe së dyti, për të ndërtuar një sistem përdorimi dhe administrimi të këtyre mjeteve nga bashkitë.
Do ta shtrijmë tanimë në të gjithë territorin, do të kemi një park logjistik që do u shërbejë bashkive për të gjitha punimet e pastrimeve, mirëmbajtjes etj që lidhen me situata post-emergjencë. Do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet”, tha kryeministri.
Në të njëjtin event, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria po harmonizon zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve me standardet europiane, duke synuar ndërtimin e infrastrukturës me fibër optike deri te përdoruesi fundor.
Ai njoftoi gjithashtu miratimin e ligjit të ri për “Gigabit”, i cili synon përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian në fushën e komunikimeve elektronike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje