Gazeta Si – Në një kohë kur prej 3 javësh protestohet para kryeministrisë, Edi Rama thotë se as nuk e ka menduar të japë dorëheqjen pavarësisht se shumë personave u ishte krijuar kjo përshtypje.
Ndër të tjera, teksa ironizoi protestuesit, Rama nënvizoi se qeveria nuk do ta dorëzojë kurrë “timonin” e saj.
“Nga diskutimet e para, është e qartë që janë dëgjuar, do të dëgjojnë kritikën dhe zërimin. Nuk është e mundur që një qeveri ta skualifikojë, t’ia hedhë të gjithë fajin algoritmit. Nuk është e drejtë. Por një qeveri nuk mund ta bëjë kurrë, nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit”, – tha ai.
Rama u shpreh se ai dhe Partia Socialiste, nuk do të pranojë kurrë t’i dorëzohet zhurmës dhe të tradhëtojë synimin për të cilin u votua nga populli, anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ndër të tjera, shefi i qeverisë u shpreh jo vetëm qytetarët që mblidhen prej 20 ditësh përpara zyrës së tij, por edhe një planet i tërë të ngrihet në protestë, askush nuk mund të bëjë PS të ndihet fajtor dhe nuk mund t’i imponojë të bëhet pjesë e algoritmit.
“Më kanë sugjeruar më të urët: lëri, mos fol, rri, dëgjoji. Unë mund të ndihem përgjegjës për shumë gjëra që duhet të shkojnë më mirë, por unë dhe ju, PS, të ndihemi me faj, se vetëm fajtorët nuk flasin; të ndihemi me faj pse mblidhet jo ajo turmë, po pse mblidhet planeti po të dojë, që të na tregojë dhe të na imponohet në opinion, që të na detyrojë që ne të pranojmë të jemi skllevër të algoritmit dhe si forcë politike, kjo nuk është e mundur të ndodhë, se kjo është tradhtia e vërtetë”, tha Rama.
Rama ia faturon protestat, rrjeteve sociale për nxitje të histerisë kolektive dhe shpikjen e një trendi të ri, për të qenë në krye të vëmendjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje