Politike

Rama flet për Arubën: Nuk kam qenë kurrë! Fjala ‘drogaxhi’ më ndjek si e vërtetë

Gazeta Si – Nga mbledhja e grupit të PS, kryeministri Edi Rama mohon të ketë qenë pjesë e takimeve në Aruba (një ishull i vendosur në pjesën jugore të Detit të Karaibeve, rreth 29 kilometra në veri të bregut të Venezuelës), ku sipas SPAK, drejtues shqiptarë të grupeve shqiptare kriminale kanë diskutuar në vitin 2019 për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Rama tha se në epokën e algoritmeve, përsëritja e vazhdueshme e një pretendimi mjafton që ai të perceptohet si i vërtetë

“Fatos Lubonja kërkon llogari nga unë për Arubën. Në të gjithë historinë e njerëzimit, që kur janë vendosur rregullat e qytetërimit romak, llogaria jepet në bazë të fakteve. Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë, nuk kam dërguar kurrë njeri? Këto nuk kanë vlerë, sepse Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë, – shtoi kryeministri. – Siç është bërë e vërtetë që unë jam një konsumator kokaine. Fjala ‘drogagji, ik mor drogagji’, është një refren që mua më ndjek si e vërtetë. Siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim, është bërë e vërtetë çfarëdo të them unë. Nuk kanë rëndësi letrat e gjykimit, algoritmi e ka bërë të vërtetë, siç kanë bërë të vërtetë që unë jam një kusar që marr pjesën time nga çdo lloj gjëje që bëhet në Shqipëri. Për këtë arsye nuk e them këtë gjë rregullisht, se nuk ka asnjë vlerë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë