Gazeta Si – Gjatë fjalës së tij mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kreu i qeverisë ka kritikuar hapur protestat qytetare që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec.
Rama deklaroi se në epokën e rrjeteve sociale, protestat nuk zhvillohen më vetëm në shesh. Sipas tij, protestat shërbejnë gjithnjë e më shumë si material për algoritmin në rrjetet sociale, të cilat favorizojnë konfliktin, zemërimin dhe përplasjet.
Kreu i qeverisë i cilësoi organizatorët dhe kritikët si “profetë të rremë” që kërkojnë vetëm rrëzimin e pushtetit përmes manipulimeve.
Sipas tij, hapësira publike dhe rrjetet sociale po përdoren për të mbytur të vërtetën përmes përhapjes masive të gënjeshtrave dhe censurimit të fakteve.
“Kush mendon se me like dhe follwersa bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me likes bën shërbimin e atyre oligarkëve me të mëdhenj të planetit, që përmes algorimit pasurohen çdo ditë. Algoritmi nuk shpërblen qetësinë, sepse qetësia është armik i algorimit, algoritmi nuk shpërblen nuancat, i fsheh, sepse nuancat janë kundërshtare të algorimit. Alogritmi nuk e do arsyen, prandaj në të gjitha postimet, në të gjitha platformat që janë të mërzitshme, kanë një shpërndarje shumë më të ngadaltë se sa ato që janë tërheqëse, – tha ai. – Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin, indinjatën, frikësimin e të tjerëve. Sepse frikësimi prodhon klikime, klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para. Për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike, sa më shumë zemërim aq më shumë shikueshmëri, ndikim, pushtet, mbi skllevërit e algoritmeve. Kjo është arsyeja pse sot protestat nuk zhvillohen vetëm në shesh, por kanë nevojë për një shesh thjesht si përfaqësim i një lukunie që proteston në algoritëm. Madje sheshi është studio televizive, është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë. Kjo është beteja e kohë sonë, s’ka lidhje me të majtën dhe të djathtën, por me konfliktin. Kush kërkon like dhe follow me zemërim, punon kundër fëmijëve të tij”, tha Rama.
Ai e ka cilësuar situatën aktuale si një histori paralajmëruese, duke u shprehur se mllefi i shfaqur nuk drejtohet vetëm ndaj tij, por ndaj të gjithë shumicës qeverisëse.
Sipas Ramës, ky reagim është vetëm fillimi i asaj që pritet të vijë më tutje, ndaj kërkoi që kjo histori të lexohet drejt për të qenë të përgatitur.
“Shqipëria u bë zogu dhe ne ishim në krye të saj. Kjo ishte një histori paralajmëruese. Jo vetëm për mandatin tim, por të kësaj shumice qeverisëse. Mllef ndaj meje dhe PS. Këtë histori ta lexojnë sa më drejt, për të qenë të përgatitur sa më mirë, për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi… Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet, për të kuptuar politikën sot bën mirë që të largohesh pak. Shumë kohë përpara ai ka përshkruar modelin e biznesit të rrjeteve sociale, në një përshkrim që ai e quan diskursi i historikut. Ai nuk përshkruante një njeri, por një marrëdhënie, një mënyrë për t’u marrë me botën dhe realitetin”.
Pasi analizoi modelin e rrjeteve sociale dhe “diskursin e historikut”, ku rëndësi ka mbajtja ndezur e motorit të zhurmës, ai sqaroi se ky qëndrim nuk është një kritikë ndaj kritikës konstruktive.
Kryeministri pranoi se qeveritë përmirësohen nga kundërshtitë, por nënvizoi se refuzimi i prerë për të negociuar është tashmë një fenomen politik botëror.
“Nuk ka fare objekt, rëndësi ka që motori të mos fiket dhe zhurma e tij të mos pushojë. Kjo nuk është një kritikë ndaj kritikës, përkundrazi. Qeveritë përmirësohen nga kritikat dhe kundërshtitë. Unë dhe të gjithë ju kemi ndryshuar mendje shpesh për shkak të objektit të kritikës. Një zemërim që shuhet nuk prodhon më identitet. Është tipike dhe konkrete, që nuk duam të dëgjojmë, të flasim dhe nuk ka negociata. Ky nuk është një fenomen shqiptar, është një fenomen politik botëror. Nxitja për të përmbysur gjithçka është më e bukur sesa administrimi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje