Politike

Deputetët e PD pengojnë seancën/ Berisha: Nuk do votojmë amnistinë penale

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë, i mbledhur sot në seancë plenare, u përfshi në debate procedurale, ndërsa diskutohej edhe për protestën që zhvillohet prej ditësh në Tiranë kundër investimit në Zvërnec.

Pasi u paraqit rendi i ditës nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe më pas iu dha fjala ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për të paraqitur konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, opozita bllokoi foltoren duke kërkuar diskutim procedural.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se fjala për procedurë ishte dhënë më herët, pas paraqitjes së kalendarit të punimeve, por sipas tij ajo nuk është respektuar nga folësit, të cilët kanë folur për gjithçka dhe vetëm për çështje procedurale nuk e kanë marrë fjalën.

Ndryshe mendon Partia Demokratike, e cila bllokoi foltoren duke kërkuar që t’i jepej fjala kryetarit të selisë blu, Sali Berisha.

Në pamundësi për të vijuar seancën plenare në mënyrë të rregullt, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu punimet për 15 minuta.

Në një prononcim për gazetarët, Sali Berisha tha se nuk do ta votojnë amnistinë penale, e cila është futur sot në rend dite. Ai tha se rendi i ditës për opozitën janë vetëm kërkesat e protestuesve.

“Nuk e votojmë amnistinë. S’kemi asgjë tjetër në rend përveç kërkesave të protestuesve. Rendi i ditës janë kërkesat e protestuesve”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë