Drejtësia

Arrestohet në Belgjikë Gert Gjinarari, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Naim Zyberit

Gazeta Si – Gerd Gjinarari, i njohur ndryshe si “Gert Gjenerali”, një personazh i botës së krimit dekada më parë, është arrestuar në Belgjikë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ai është i dënuar nga drejtësia italiane me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit, njërit prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Tiranën e viteve ’90.

Vrasja ndodhi në vitin 1997 në një spital në Milano, ku Zyberi po merrte trajtim mjekësor pas një atentati me armë zjarri.

Sipas hetimeve asokohe, Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit duke u paraqitur si të afërm të pacientit dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri, të cilën e kishin fshehur brenda një buqete me lule.

Vendimi i gjykatës

Për këtë ngjarje, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat italiane dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin.

Ndërsa në vitin 2019, me një vendim që shkaktoi reagime të forta, Gjinarari u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës.

Më pas, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin duke kërkuar rikthimin e Gjinararit në burg, duke urdhëruar njëkohësisht rikthimin e tij në qeli për të vuajtur dënimin.

Pas këtij vendimi, Gjinarari nuk u paraqit për ekzekutimin e masës dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i tij në Belgjikë pritet të hapë procedurat e ekstradimit.

Historia e vrasjes së Naim Zyberit

Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça.

Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali.

Naim Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit.

Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti, jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte drejtësisë dhe armiqve, deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl.

Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë.

Hakmarrja

Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit (vëllai i Arben Grorit dhe miku i Gerd Gjinararit) dhe të Gaz Muçës.

Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë.

Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë, nuk bëri që autorët të dorëzohen.

Më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë