Lajme

Vrau “të fortin” e Tiranës, i dënuari përjetë lirohet me kusht

Pas çështjes së Dritan Dajtit, që trazoi politikën shqiptare dhe opinion publik, një tjetër rast i ngjashëm ka përfshirë sistemin gjyqësor shqiptar.

Bëhet fjalë për një tjetër të dënuar me burg përjetë, Gerd Gjinararin (Gjenerali), i cili përmes procedurave ligjore, ka fituar lirinë me kusht, edhe pse është dënuar për vrasjen e “të fortit” të Tiranës, Naim Zyberi në vititn 1997 në Itali.

Në datën 14 shkurt 2019, gjyqtari i Gjykatës së Korçës, Markelian Kuço ka firmosur lirimin me kusht të Gerd Gjinararit, nga burgu i Drenovës, Korçë.

“Pranimi i kërkesës së Gerd Gjinararit, dhe lirimi me kusht për pjesën e mbetur pa vuajtur të dënimit me burgim të përjetshëm të caktuar në mbështetje të vendimit nr 14 datë 10.03. 2014 të gjykatës së Tiranës, duke e vendosur në provë kërkuesin për gjithë jetën”, - shkruhet në vendimin e gjyqtarit.

Ekstradimi

Gjinarari u ekstradua nga Italia drejt vendit tonë në 24 nëntor 2014 pas njohjes nga ana e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit Penal Italian. Ky shtetas do vuajë dënimin në Shqipëri, pasi është i dënuar me burgim të përjetshëm nga Drejtësia Italiane.

45-vjeçari, u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por kur dosja erdhi në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, duke e ulur dënimin përjetë në 25 vite burg. Një procedurë kjo e ndryshuar vitet e fundit, ku tashmë ndalohet gjykimi i shkurtuar për vepra të rënda penale, veçanërisht për vendime me burgim të përjetshëm.

Një ndër argumentet është edhe se ai ka pasur një sjellje “shembullore” në burg dhe paraqitet me normalizim të plotë të marrëdhënieve me trashëgimtarët e viktimave nga vepra penale.

Historia e ekzekutimit

Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali.

Naim Zyberi u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl.

Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës, pasi ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino.

Aty Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Ai u dërgua për mjekim më të specializuar në spitalin e Milanos, ku më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, u futën në dhomën e tij dhe e qëlluan për vdekje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë