Teknologji dhe Inovacion

Pse topi i Kupës së Botës këtë vit mund të mos shkojë aq larg…

Shumë gjëra janë të reja rreth turneut të Kupës së Botës FIFA këtë muaj, i cili do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ai do të ketë më shumë skuadra se kurrë më parë. Është hera e parë që turneu zhvillohet në tre vende pritëse njëkohësisht. Dhe, si kupat paraardhëse për më shumë se gjysmë shekulli, edhe ky do të përdorë një top futbolli me dizajn krejtësisht të ri.

Një grup studiuesish që ka testuar fizikën e topave të Kupës së Botës për 20 vitet e fundit, së fundmi ka studiuar këtë model të ri të quajtur Trionda. I prodhuar nga Adidas, Trionda ka katër panele me ngjyrat e kuqe, jeshile dhe blu, me kanale të thella dhe emblema si gjethe panje, shqiponjë e gjelbër dhe yje që përfaqësojnë tre vendet pritëse. Përmes eksperimenteve në tunel ere, studiuesit zbuluan se ky top ka disa përmirësime krahasuar me versionet e mëparshme, por goditjet e gjata mund të mos shkojnë aq larg sa më parë.

“Pamja e thjeshtë është se Trionda mund të ‘ndëshkojë’ shumë pak goditjet ekstreme në distancë, por shpërblen teknikën e pastër dhe fluturimin e parashikueshëm,” thotë John Eric Goff, studiues i fizikës së sportit dhe profesor në Universitetin Purdue. “Portierët, mbrojtësit që bëjnë pasime të gjata dhe goditjet nga distanca janë vendet ku do të shihen më shumë ndryshimet.”

Adidas ka prodhuar topa të rinj për çdo Kupë Bote që nga vitet 1970. Në fillim, ndryshimet ishin kryesisht estetike: topi i vitit 1986 kishte grafika të frymëzuara nga tempujt aztekë për turneun në Meksikë, ndërsa ai i vitit 1994 kishte motive hapësinore për 25-vjetorin e uljes në Hënë. Kishte edhe ndryshime strukturore, si përmirësimi i shkumës së brendshme dhe rezistencës ndaj ujit. Por në përgjithësi, topat kishin dizajnin klasik me 32 panele pesëkëndore të qepura së bashku.

Kjo ndryshoi në Kupën e Botës 2006 në Gjermani, kur Adidas prezantoi topin +Teamgeist, me vetëm 14 panele të lakuara të bashkuara me nxehtësi në vend të qepjes. Ky dizajn ndihmoi që topi të mos thithte lagështirë dhe të mos rëndohej gjatë lojës. Pikërisht në këtë periudhë John Eric Goff filloi studimet mbi topat e futbollit dhe që atëherë ka ndjekur evolucionin e tyre.

Lëvizja në ajër

Goff zbuloi se duke analizuar trajektoren e topit, mund të llogaritet koeficienti i rezistencës së ajrit që tregon sa e ngadalëson ajri topin gjatë fluturimit. Më pas ai filloi bashkëpunimin me studiues në Japoni për të analizuar si ndryshon sjellja e topave të Kupës së Botës me çdo dizajn të ri.

Eksperimentet në Universitetin e Tsukuba-s janë të njëjta çdo vit për të ruajtur krahasueshmërinë e të dhënave. Topi vendoset në një shufër metalike të lidhur me një pajisje matëse që regjistron forcat aerodinamike si rezistenca dhe ngritja, në shpejtësi që variojnë nga 7 deri në 35 metra në sekondë – të ngjashme me një ndeshje reale futbolli.

Ekipi e teston topin në disa pozicione, por numri i testeve është i kufizuar sepse çdo test e dëmton topin (që kushton rreth 170 dollarë). Më pas, Goff përdor të dhënat për të simuluar trajektoren e plotë të topit në fluturim.

Analizat tregojnë se topat e fundit kanë evoluar shumë që nga modeli Jabulani i vitit 2010, i cili u kritikua ashpër nga lojtarët, sidomos portierët, sepse kishte një trajektore të paparashikueshme dhe “binte çuditshëm”.

Problemi i tij kryesor ishte se ishte shumë i lëmuar. Kjo bënte që sjellja e tij në ajër të ndryshonte papritur në një fenomen të quajtur “kriza e rezistencës së ajrit” (drag crisis), ku topi ngadalësohet në mënyrë të papritur dhe bëhet i paqëndrueshëm.

Rrugëzgjidhje në dizajn

Modelet e mëvonshme e përmirësuan këtë. Topi Brazuca i vitit 2014 kishte vetëm 6 panele, por me më shumë gjatësi qepjesh që shtonin ashpërsinë e sipërfaqes. Ndërsa Trionda ka vetëm 4 panele, por me kanale të thella që rrisin më tej teksturën.

Por kjo sjell edhe një kompromis: edhe pse Trionda e shtyn më vonë “krizën e rezistencës”, ai ka rezistencë më të lartë në shpejtësi të larta, që do të thotë se topi ngadalësohet pak më shpejt gjatë goditjeve të gjata. Kjo mund të bëjë që goditjet nga distanca të shkojnë disa metra më pak.

Sipas Goff, kjo është e ngjashme me topat e golfit me gropa ose topat e bejsbollit me qepje: pa këto struktura të ashpra, topat nuk do të fluturonin aq larg sa sot.

Topi Trionda ka një kompromis mes stabilitetit dhe distancës. Ai është më i parashikueshëm në fluturim, por pak më “i ngadalshëm” në goditjet e forta. Adidas nuk ka komentuar mbi këto analiza.

Futbollistët pritet të jenë tashmë të përshtatur me topin, pasi kanë pasur disa muaj për ta përdorur. Disa studiues vënë re se ai është i ngjashëm me topin Nike Flight, ndaj lojtarët që janë mësuar me të mund të kenë përparësi.

Ndërkohë, Goff vazhdon t’u dërgojë studimet e tij FIFA-s dhe Adidas-it, duke theksuar se topi është elementi më i rëndësishëm i turneut më të madh të futbollit në botë dhe meriton vëmendje të veçantë në testime të pavarura./MIT


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë