Shendet

Studimi i ri: Vezët në moshën 6 muajshe mund të parandalojnë alergjitë

Nga Gazeta ‘Si’- Sipas udhëzimeve të vjetra, prindërit këshilloheshin të vononin dhënien e ushqimeve që shkaktojnë shpesh alergji, si vezët, sidomos nëse në familje kishte histori alergjish.

Megjithatë, studimet e viteve të fundit kanë treguar se ekspozimi i hershëm ndaj këtyre ushqimeve mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për zhvillimin e alergjive.

Një studim i ri i publikuar në revistën JAMA Pediatrics zbuloi se pas ndryshimit të rekomandimeve dhe futjes së vezëve në dietën e foshnjave rreth moshës 6 muajshe, rastet e alergjisë ndaj vezëve tek fëmijët ranë me më shumë se 17%.

Studimi analizoi mbi 7.000 foshnja në Australi dhe krahasoi të dhënat para dhe pas ndryshimit të udhëzimeve.

Përqindja e foshnjave që konsumuan vezë deri në moshën 6 muajsh u rrit nga rreth 25% në 57%, ndërsa prevalenca e alergjisë ndaj vezëve u ul nga 9.2% në 7.6%.

Tek foshnjat me ekzemë, të cilat kanë rrezik më të lartë për alergji, ulja ishte edhe më e dukshme.

Ekspertët shpjegojnë se sistemi imunitar mëson të njohë ushqimet si të sigurta kur ato konsumohen herët dhe në mënyrë të rregullt. Në të kundërt, mungesa e kontaktit me ushqimin mund të rrisë gjasat që organizmi ta perceptojë atë si kërcënim dhe të zhvillojë reaksion alergjik.

Mjekët rekomandojnë që prindërit të konsultohen me pediatrin përpara futjes së ushqimeve të ngurta dhe të sigurohen që foshnja është gati për t’i konsumuar ato.

Gjithashtu, është e rëndësishme të vëzhgohen shenjat e mundshme të alergjisë gjatë prezantimit të ushqimeve të reja./ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë