Keshilla

A ndahen realisht çiftet kur zhvillohet ‘lobi frontal’? Shkenca thotë…po

Mund të mendosh se një tru plotësisht i zhvilluar do të ishte një gjë e mirë për ta sjellë në një marrëdhënie, por rezulton se maturimi mendor mund të jetë në fakt fundi i saj, nëse beson në “ndarjet e lobit frontal” (frontal lobe breakup), sigurisht.

Sipas atyre që e mbështesin këtë ide, një “ndarje e lobit frontal” është një ndarje që ndodh papritur në mesin e të 20-ave, supozohet si rezultat i përfundimit të zhvillimit të korteksit prefrontal rreth asaj moshe.

Në thelb, ideja është që qartësia mendore që vjen me një tru të zhvilluar plotësisht i bën më të dukshme vendimet romantike jo të mira që kemi marrë në vitet tona më të reja dhe më të papjekura emocionalisht. Dhe nëse ndodh që je ende në një marrëdhënie të tillë? Ky “tru i ri dhe i përmirësuar” mund të të thotë thjesht se është koha për t’u ndarë.

Ky koncept është bërë shumë i njohur online vitet e fundit, me shumë persona që thonë se në fund të të 20-ave kanë kuptuar papritur se duhet të ndahen nga partnerët që kishin zgjedhur kur ishin më të rinj dhe më pak të vetëdijshëm. Edhe Emily Ratajkowski është përfshirë në këtë trend, duke këshilluar në TikTok vitin e kaluar që gratë të mos hyjnë në angazhime afatgjata para moshës 25 vjeç.

Megjithëse provat janë kryesisht anekdotike dhe të bazuara në përvoja personale, logjika duket se qëndron. Por a është vërtet lobi frontal ai që “shkatërron” marrëdhëniet?

Çfarë është një “ndarje e lobit frontal”?

Për ta kuptuar këtë koncept, mjafton të kuptosh vetëm lobin frontal.

“Lobi frontal është pjesa e trurit që ndihmon me planifikimin, vendimmarrjen, vetëkontrollin dhe kuptimin e pasojave,” shpjegon neuropsikologia Sanam Hafeez, duke shtuar se zhvillimi fillon në fëmijëri dhe vazhdon deri në fund të adoleshencës dhe fillim të moshës së rritur, zakonisht deri në mesin ose fundin e të 20-ave.

Arritja e pjekurisë së plotë të lobit frontal do të thotë që truri është më i aftë të mendojë përpara në vend që të veprojë impulsivisht. Për këtë arsye, të rinjtë rrezikojnë më shumë, ndërsa të rriturit priren të mendojnë më me kujdes.

Në thelb, ky proces “përmirëson qarkun e korteksit prefrontal që të funksionojë më me efikasitet, lidhje dhe shpejtësi,” shpjegon neuroshkencëtari Tom Bellamy. Zhvillimi i plotë lidhet me vetëkontroll më të mirë, gjykim më të saktë dhe rregullim emocional më të fortë.

A janë reale “ndarjet e lobit frontal”?

“Ka njëfarë të vërtete në këtë koncept, por shpesh thjeshtohet shumë,” thotë ekspertja e marrëdhënieve Thais Gibson.

Është e vërtetë që zhvillimi i trurit përfundon zakonisht në fund të të 20-ave dhe kjo përmirëson vendimmarrjen, gjë që mund të ndikojë edhe në jetën sentimentale, duke bërë që njerëzit të rishikojnë zgjedhjet e mëparshme.

“Megjithatë, zhvillimi i trurit vetë nuk shkakton ndarje,” thotë Hafeez. “Ai thjesht ndihmon gjykimin. Vetëkontrolli më i mirë mund të bëjë që njerëzit të mos qëndrojnë në marrëdhënie nga frika ose zakoni.”

Por ajo thekson se një keqkuptim i madh është ideja se pjekuria ndodh papritur, si një “çelës ndezjeje”.

Në realitet, truri ndryshon ngadalë dhe ndikohet nga përvojat e përditshme.

Neuroshkencëtari Bellamy shton se zhvillimi i trurit ndikohet drejtpërdrejt nga jeta sociale dhe përvojat reale: gabimet dhe përvojat në marrëdhënie ndikojnë në mënyrën si formohet truri.

A janë të pashmangshme këto ndarje?

Jo. Shumë njerëz me tru të zhvilluar plotësisht vazhdojnë të përsërisin modele të pashëndetshme në marrëdhënie.

“Pjekuria emocionale, plagët e lidhjes dhe modelet e mësuara nuk zhduken automatikisht me moshën,” thotë Gibson.

Ndërkohë, faktorët e jashtëm si përfundimi i studimeve, fillimi i punës dhe pavarësia financiare ndikojnë gjithashtu në marrëdhënie.

Shumë ndarje ndodhin jo sepse dikush “u bë më i pjekur papritur”, por sepse më në fund ndihet i aftë të largohet nga një marrëdhënie jo e shëndetshme.

Një marrëdhënie e mirë nuk prishet domosdoshmërisht nga zhvillimi i trurit. Dy persona mund të rriten së bashku dhe jo të ndahen ndërsa piqen.

Por nëse ka probleme të thella në komunikim, kufij të dobët dhe sjellje të pashëndetshme, as pjekuria mendore nuk i shpëton marrëdhëniet nga dështimi.

Dhe në fund… nuk je kurrë shumë i/e rritur për të mos marrë vendime të gabuara herë pas here./Cosmopolitan


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë