Nga Gazeta ‘Si’- Një ngjarje e rëndë është zbuluar në fshatin Fushë Mamurras, në Kurbin, ku një 57-vjeçare dyshohet se ka vrarë nënën e saj 85-vjeçare me thikë, dhe më pas e ka raportuar si vdekje natyrale.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur më 30 prill 2026 dhe nuk ishte raportuar në organet ligjzbatuese në momentin e vdekjes së të moshuarës.
Hetimet nisën pas dyshimeve të ngritura në rrugë operative, duke çuar në verifikime të mëtejshme nga një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë.
Nga hetimet rezulton se viktima, shtetasja D. Sh., 85 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me thikë, ndërsa si autore e dyshuar është vajza e saj, shtetasja V. Sh., 57 vjeçe, e cila jetonte në të njëjtën banesë dhe dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Policia ka bërë ndalimin e 57-vjeçares për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa është sekuestruar edhe mjeti prerës i dyshuar si arma e krimit.
Gjithashtu, materialet janë referuar në gjendje të lirë për një mjeke, e cila dyshohet për “Shpërdorim detyre”, pasi ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar si natyrale dhe nuk ka njoftuar autoritetet përkatëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje