Bota

Rumani, një dron detar shpërthen në portin e Konstancës (video)

Gazeta Si – Një shpërthim ndodhi të premten në mëngjes në portin e Konstancës, një qytet në Rumaninë juglindore në Detin e Zi.

Ministria e Mbrojtjes tha se një dron detar shpërtheu dhe u vetëshkatërrua rreth orës 10:30 të mëngjesit, ndërsa nuk pati të lënduar.

Zona ishte siguruar tashmë nga shërbimet e inteligjencës dhe roja bregdetare: pamja e dronit pranë molit 78 iu raportua Ministrisë së Mbrojtjes rreth orës 6:20 të mëngjesit.

Sipas ministrisë, droni detar është i ngjashëm me ato të përdorura në luftën në Ukrainë. Megjithatë, nuk dihet se kujt i përket ose pse ndodhej në port.

Ministria ka specifikuar se nuk është nga ushtria rumune dhe nuk është një nga ato të përdorura në stërvitjet e fundit në Detin e Zi.

Zëvendësministri i Brendshëm, Raed Arafat tha se porti është evakuuar dhe se dy helikopterë po fluturojnë mbi zonë për të kontrolluar për dronë të tjerë.

Vetëm një javë më parë, një dron rus i nisur për në Ukrainë hyri në hapësirën ajrore rumune dhe goditi çatinë e një pallati në Galati, një qytet pranë kufirit moldav rreth 190 kilometra në veri të Konstancës, duke shkaktuar një zjarr dhe lëndime të lehta në dy persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë