Ngjarje

Vrasësi i policit në Maliq ishte në kërkim, por merrte fonde shtetërore si fermer!

Gazeta Si – Një çoban kishte denoncuar për kanosje të shumëkërkuarin e drejtësisë, Violand Braçelllari, i cili një ditë më parë vrau në Maliq gjatë një operacioni, një polic dhe plagosi një tjetër.

Operacioni për kapjen e Braçellarit u bë pas denoncimit të çobanit, i cili denoncoi më 3 qershor në polici se nuk e kishte paguar për 15 ditë punë dhe se e kishte kërcënuar me jetë.

Pas kësaj, 6 policë të forcave “Shqiponja”, u nisën për të arrestuar 43-vjeçarin, i cili dyshohej se fshihej në një stan në Lozhan të Maliqit.

Pikërisht në stanin e Braçellarit në malin Bode të Maliqit, janë gjetur armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak.

Dyshohet se këto armë, 43-vjeçari i shpallur në kërkim i ka përdorur ndaj forcave të policisë. Po ashtu janë sekuestruar radio komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga policia, dylbi si dhe dronë, të cilat po i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar përdorimin e tyre.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Braçellari ka pasur një të kaluar problematike edhe më herët. Në vitin 2004, në moshën 21-vjeçare, ai është paraqitur në Forcat e Armatosura, por ka qëndruar vetëm tre ditë dhe më pas nuk është rikthyer më në repart. Edhe për këtë rast, burime sqarojnë se ka pasur një procedim të hapur ndaj tij.

Sipas burimeve, rezulton se babai, nëna dhe vëllai i Violand Braçellarit, ka përfituar mbështetje financiare nga AZHBR-ja për shtimin e krerëve të gjedhëta.

Mësohet se në total familja e autorit të vrasjes së policit Enea Mekolli, nga viti 2023-2025, ka përfituar mbi 20.000 euro.

Violand Braçellari, është dënuar me 10 vite në mungesë për trafik e prodhim të lëndëve narkotike, dhe cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në operacionin në Lozhan të Maliqit, Braçellari hapi zjarr kundër efektivëve në momentin që ata i bënë thirrje të dorëzohej.

Polici Enea Mekolli mbeti i vdekur nga plumbi në kokë, ndërsa Edison Adri u plagos në kokë e qafë, por është jashtë rrezikut për jetën.

Edhe vetë Braçellari u plagos në duar e bark, por edhe ai është jashtë rrezikut për jetën, i shtruar në Spitalin e Traumës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë