Gazeta Si – Edhe pse ishte në kërkim prej 9 vjetësh për trafik dhe prodhim të lëndëve narkotike, familja e Violand Braçallarit ka përfituar fonde shtetërore nga AZHBR-ja për stallat e bagëtive.
Pikërisht në këto stalla në fshatin Lozhan të Maliqit, që i kishte kthyer edhe në depo armësh, ai fshihej dhe hapi zjarr një ditë më parë me kallashnikov, duke lënë të vrarë policin, Enea Mekolli dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri.
Dokumentet zyrtare, tregojnë se fondet janë marrë në emër të nënës, babait dhe vëllait të tij. Ajo çfarë dihet deri tani, është se Braçellari, edhe pse prej vitesh në kërkim dhe i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka përfituar rregullisht fonde publike përmes familjarëve.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se në total familja e autorit të vrasjes së policit Enea Mekolli, nga viti 2023-2025, ka përfituar mbi 20.000 euro.
Më herët, forcat RENEA ishin mobilizuar disa herë për ta kapur 43-vjeçarin, por nuk kishin arritur. Për tragjedinë e ndodhur në Lozhan, ka nisur edhe një hetim për drejtorinë e Policisë Korçë lidhur me mënyrën sesi u organizua operacioni për kapjen e Braçellarit.
Në fakt, një ditë para ngjarjes, një çoban i zonës e kishte denoncuar në polici për kanosje me jetë të shumëkërkuarin Braçelllari, me pretendimin se nuk e kishte paguar për 15 ditë punë.
Pas kësaj, 6 policë të forcave “Shqiponja”, u nisën për ta arrestuar të dyshuarin, i cili fshihej në një stan në Lozhan të Maliqit.
Pikërisht në stanin e Braçellarit në malin Bode të Maliqit, janë gjetur armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Dyshohet se këto armë, 43-vjeçari i shpallur në kërkim i ka përdorur ndaj forcave të policisë. Po ashtu janë sekuestruar radio komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga policia, dylbi si dhe dronë, të cilat po i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar përdorimin e tyre.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Braçellari ka pasur një të kaluar problematike edhe më herët. Në vitin 2004, në moshën 21-vjeçare, ai është paraqitur në Forcat e Armatosura, por ka qëndruar vetëm tre ditë dhe më pas nuk është rikthyer më në repart. Edhe për këtë rast, burime sqarojnë se ka pasur një procedim të hapur ndaj tij.
Violand Braçellari, është dënuar me 10 vite në mungesë për trafik e prodhim të lëndëve narkotike, dhe cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në operacionin në Lozhan të Maliqit, Braçellari hapi zjarr kundër efektivëve në momentin që ata i bënë thirrje të dorëzohej.
Polici Enea Mekolli mbeti i vdekur nga plumbi në kokë, ndërsa Edison Adri u plagos në kokë e qafë, por është jashtë rrezikut për jetën.
Edhe vetë Braçellari u plagos në duar e bark, por edhe ai është jashtë rrezikut për jetën, i shtruar në Spitalin e Traumës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje