Politike

‘Zvërneci’/ Opozita: Protestuesit s’janë grekë po shqiptarë që u dhimbset Shqipëria!

Nga Gazeta ‘Si’- Debatet në Kuvend kanë nisur këtë të enjte me çështjen e protestave kundër projektit në Zvërnec.

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj tha se të rinjtë shqiptarë sot po “luftojnë për Shqipërinë dhe sot janë çuar për një betejë që unë e kam nisur që me Butrintin“.

Ajo gjithashtu u ankua se përse projektligji që ajo ka çuar në Parlament për zonat e mbrojtura nuk është futur për diskutim: “Sot ua kërkon BE për ta miratuar. Jua kam sjellë ligjin që më 14 maj, pse nuk e keni sjellë në program?!”

Më pas, sa i takon teorive që qarkullojnë mbi protestuesit, Zhupa u shpreh se: “Janë protesues shqiptarë, jo grekë, jo rusë, jo agjentë, janë shqiptarë ata që u dhimbset Shqipëria!”

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ironizoi kur tha se qeveria, që iu referua si Sulltanati, i fryn zjarrit se protesta është nxitur nga faktorë të jashtëm.

“Rendin e ditës e kanë vendosur ata të rinj qqë kanë mbushur sheshet prej 4 ditësh. Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e një qeverie të krimbur nga krimi e të kalbur nga korrupsioni, kërkesa për shfuqizimin e ligjeve grabitqare për investitorët strategjikë, paketën e maleve dhe ndryshimet që i keni bërë ligjit për zonat e mbrojtura. Mos e vazhdoni më këtë teatër patetik.

Nga njëra anë sulltanati që i lëshoi disa nga jeniçerët nëpër media për t’i fryrë zjarrit të komplotit kundër Perandorisë, nga ana tjetër kryegjyshata që ka lënë në gjumë të thellë letargjik, të paqtë dimëror siç i ka hije moshës së tretë. Shqipëria po e lë pas të shkuarën.

Në atë foltore duhet të ishte Rama dhe të jepte llogari për kërkesat e protestuesve. Ndaj të nderuar kolegë ju bëj thirrje që të kërkoni thellë brenda jush se ndoshta zbuloni indinjatën e fjetur dhë sot të flisni për kërkesat e protestuesve. Ka një të vërtetë gjigante në thirjet e protestuesve Rama në burg, Berisha në burg. Kjo e vërtetë do t’ju çlirojë edhe ju nga diktati i Sulltanatit dhe Kryegjyshatës.”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri është shprehur i revoltuar mbi zhvillimet e djeshme në protestën kundra projektit në Zvërnec, për shkak të përplasjeve të protestuesve me policinë. Por edhe me deklaratat e kryeministrit për një “luftë hibride”.

“Rama tha dje jemi në luftë hibride, dil jep llogari nga kush po sulmohemi meqë drejton anti-terrorin.
Në ’90 Rama e mbushi Tiranën me ‘Enver Hitler’ dhe ‘Ramiz Alia’ nuk bëri gjë. Dje sulmuat qytetarët me ujë me piper, nuk e mbajti dot gardhi protestën. Lejini dopio-standardet jep dorëheqjet nëse ke guxim!”, tha Kapri, i cili kërkoi me ngulm praninë e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme, pasi ky i fundit nuk është i pranishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë