Nga Gazeta ‘Si’- Një natë e tensionuar është regjistruar në Gjirin Persik mes forcave amerikane dhe atyre iraniane.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, SHBA-ja kreu sulme mbrojtëse në ishullin Qeshm, duke goditur një kullë radioje, ndërsa Irani reagoi me sulme raketore ndaj objektivave detare dhe ushtarake në rajon.
Centcom tha se Teherani kishte qëlluar dy raketa në Kuvajt dhe tre në Bahrein, të cilat të gjitha u shkatërruan ose u interceptuan.
SHBA-të, të cilat dje e çaktivizuan anijen cisternë të naftës “Lexie” gjatë rrugës për në Iran, kryen sulme mbrojtëse në ishullin Qeshm, duke goditur një kullë radioje. Iranianët u përgjigjën duke lëshuar raketa në anijen “Panaya” dhe duke synuar Kuvajtin dhe Bahreinin.
Garda Revolucionare iraniane pretendoi se kishte dëmtuar bazën e Flotës së Pestë amerikane në Bahrein, pretendim që u mohua menjëherë nga Uashingtoni. Garda Revolucionare e Iranit tha se “prishja e sigurisë së Ngushticës së Hormuzit do të ketë një çmim të lartë për ushtrinë agresive amerikane”.
“Ne dëmtuam bazën e Flotës së Pestë të SHBA-së”, pohoi IRGC.
“Është gënjeshtër”, u përgjigj Uashingtoni. “Të gjitha sulmet e tyre dështuan”. Sipas televizionit iranian, shpërthime u dëgjuan edhe në Irak, dhe sirena u dëgjuan edhe në Arabinë Saudite
Përshkallëzimi vjen në një moment delikat për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit lidhur me programin bërthamor. Presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të shmangë zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa raportohet se ka ushtruar presion të fortë ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të shmangur veprime që mund të rrezikojnë bisedimet me Teheranin.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vijuar pavarësisht armëpushimit të shpallur më herët, duke shtuar pasigurinë në rajon. Në Uashington po zhvillohen kontakte të reja diplomatike mes Izraelit dhe Libanit me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Sulmet e fundit vijnë në mes të negociatave të ngecura për armëpushim, pasi bisedimet për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës disamujore dështuan të përparonin gjatë fundjavës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se negociatat me Iranin vazhdojnë dhe se një marrëveshje mund të arrihet në ditët ose javët e ardhshme. Ai theksoi se sanksionet ndaj Teheranit do të mbeten në fuqi derisa të ketë përparim konkret lidhur me programin bërthamor.
Situata mbetet e brishtë, ndërsa administrata amerikane përballet me presione të brendshme dhe shqetësime se negociatat mund të zvarriten për muaj të tërë pa një rezultat përfundimtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje