Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet dhe protestat kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në Zvërnec.
Përmes një postimi, ai sjellë si shembull një prej investimeve më të njohura turistike në rajon, kompleksin Costa Navarino në Greqi.
Rama ndau një video nga resorti grek, të cilin e cilësoi si një histori suksesi që dikur u përball me kundërshtime të forta nga komuniteti lokal dhe grupet ambientaliste, por që sot është kthyer në një nga destinacionet më prestigjioze turistike në Europë.
“Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po gjykojnë projektet e të tjerëve”, shkruan Rama.
Rama kujton se para ndërtimit të resortit në rajonin e Messinisë kishte paralajmërime për dëmtimin e natyrës, zhdukjen e biodiversitetit dhe shkatërrimin e peizazhit, ndërsa sot, sipas tij, zona është transformuar në një qendër të rëndësishme turistike që gjeneron vende pune, të ardhura për ekonominë dhe zhvillim për bizneset lokale.

“Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës. Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz”, thekson Rama.
Në postimin e tij,ai rendit edhe disa tregues që sipas tij dëshmojnë se zhvillimi dhe mbrojtja e mjedisit mund të bashkëjetojnë, duke përmendur uljen e emetimeve të karbonit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe riciklimin e ujit në Costa Navarino.
Megjithatë, Rama thekson se jo çdo investim i madh është automatikisht i mirë dhe se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen, por shton se projektet nuk mund të refuzohen paraprakisht vetëm mbi bazën e paragjykimeve.
“Zhvillimi nuk mund të mohohet kurrë kategorikisht. Një projekt bashkëjetese i zhvillimit me natyrën nuk mund të paragjykohet asnjëherë arbitrarisht”, shkruan ai.
Në fund, Rama e lidh drejtpërdrejt shembullin grek me projektin e planifikuar në Zvërnec, duke shprehur bindjen se edhe Shqipëria mund të ketë një destinacion të ngjashëm turistik.
“Po Shqipëria s’mund ta ketë ‘Costa Navarinon’ e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec”, përfundon kryeministri.
Postimi vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec vijojnë të shtohen, ndërsa organizatorët e protestave kanë paralajmëruar mobilizime të tjera kundër ndërtimit të resortit në zonën e mbrojtur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje