Gazeta Si – Kryepolici i vendit, Skënder Hita, e ka cilësuar incidentin në Zvërnec të Vlorës si një ngjarje që i turpëron të gjithë.
Pikërisht për këtë, ai ka komanduar Edvin Ndreun në detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës pas pezullimit të Elidon Çelës, i cili sipas kryepolicit, “dështoi të menaxhonte protestën në Zvërnec”.
Në një konferencë për mediat nga Vlora, Hita kritikoi ashpër mosreagimin e policisë lokale, të cilët ishin të pranishëm në protestën e Zvërnecit dhe nuk reaguan ndaj dhunës së rojeve private ndaj qytetarëve.
Ai tha se përgjegjësia është e përgjithshme dhe se me mosveprimet e saj, Policia e Vlorës turpërpoi policinë.

“Përgjegjësia për ngjarjen është e të gjithëve. Kjo është ngjarje që na turpëron të gjithëve, nuk na jep burrëri të themi se ishim më të mirët. Aty u shkelën të gjithë standartet që duhet të përfaqësonin një polici dinjitoze. Përgjegjësia e organizimit ka qenë e drejtorisë së Vlorës, por kjo nuk na bën neve më pak fajtorë”,- tha Hita.
Hita njoftoi masat e marra pas këtij rasti, për ristrukturimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Ai deklaroi se sot prezantoi drejtorin e ri të komanduar Edvin Ndreun, të Policisë së Vlorës, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit.
Ndërsa për ish-drejtorin Elidon Çela ai tha se “u shkarkua për dështimin e kryerjes së detyrës dhe shpërndarjes së informacionit të pavërtetë”.
Elidon Çela, u pezullua më 30 maj nga detyra e tij pas protestave të qytetarëve kundër projektit në Zvërnec.
Arsyeja e pezullimit vjen si pasojë e raportimit të gabuar lidhur me një nga protestuesit, të cilit i janë shkaktuar dëmtime në trup nga punonjësit e shoqërisë private.
Në njoftimin e Policisë së Vlorës, u cilësua se protestuesi ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, gjë që u kundërshtua nga Policia e Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje