Politike

Krijohet ‘Albania Digital Solution’, Rama: S’do jemi më peng i sektorit privat!

Nga Gazeta ‘Si’ – Qeveria ka prezantuar sot shoqërinë e re “Albanian Digital Solution” që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo kompani 100% shtetërore, do të garantojë standarde të larta për sektorin publik, si dhe ndër të tjera do të jetë një garanci për mirëmbajtjen e sistemeve digjitale të institucioneve shtetërore duke mos qenë më peng i sektorit privat.

Sipas Ramës, kompania e re do të funksionojë me standardet më të larta të tregut teknologjik, duke ofruar paga konkurruese për ekspertët dhe programuesit shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kryeministri shtoi se ambicia e qeverisë është që ADS të kthehet në kompaninë më të suksesshme të tregut digjital në vend, e fokusuar ekskluzivisht në shërbimet publike.

Rama bëri të ditur gjithashtu se, sipas parashikimeve të qeverisë, brenda tre viteve ADS pritet t’i kursejë buxhetit të shtetit një shumë të konsiderueshme financiare, të barabartë me kostot aktuale të mirëmbajtjes së sistemeve elektronike. Ai theksoi se kjo qasje e re do të bëjë që kompanitë private të orientohen më shumë drejt tregut privat, ndërsa shteti do të ndërtojë kapacitetet e veta teknologjike përmes kompanisë së re.

“Sot ne bëjmë publike një kompani të re, një shoqëri e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit, të qeverisjes elektronike. AKSHI është një histori e jashtëzakonshëm suksesi, e cila ka kaluar nëpërmjet një rruge aspak të lehtë, e cila ka nisur me një grusht shërbimet dhe më pas ka kulmuar me një qind e kusur shërbimesh. ADS do të krijojë sisteme, pa patur nevojën që shtetit t’i drejtohet privatit, por që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme në treg për krijimin e programeve.

Një kompani që të ketë pagat më të larta të tregut digjital, që talenteve brenda dhe jashtë vendit t’u ofrojë mundësinë që të jenë pjesë e saj. Një kompani që të ofrojë përgjegjësinë më të lartë qytetare. Kjo është ambicia e cila ka edhe një faturë shumë domethënëse dhe kuptimplotë. Brenda 3 viteve ne do i kursejmë shtetit, një shumë të barabartë me shumën që shkon për mirëmbajtje. Qeveria duke marrë këtë rrugë, do të kthejë sytë e kompanive nga sektori privat. ADS do të jetë një superfuqi në treg, por e përqendruar në shërbimet publike”, u shpreh kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë