Shendet

Pavion i ri i traumës në Mirditë, Sala: Forcojmë sistemin spitalor në veri të Shqipërisë

Nga Gazeta Si- Spitali Bashkiak Mirditë po transformohet në një qendër rajonale të traumës dhe rehabilitimit, një model i ri funksional spitalor për Veriun e Shqipërisë.

Pavioni i ri i Traumës, me fokus trajtimin e ndërhyrjeve të planifikuara traumatologjike dhe rehabilitimin e pacientëve, sipas Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala synon të fuqizojë kapacitetet e trajtimit të specializuar në nivel rajonal dhe të krijojë një pol shërbimesh për zonën veriore të vendit.

Duke vlerësuar pozicionin gjeografik të Mirditës, ministrja Sala tha se vënia në funksion e këtij pavioni do të bëjë të mundur ofrimin e trajtimit të specializuar më pranë qytetarëve duke synuar dhe uljen e ngarkesës së spitaleve terciare, veçanërisht të Spitalit Universitar të Traumës.

Sala tha se do të vlerësohen edhe spitale të tjera nga ana gjeografike dhe e kapaciteteve për të krijuar një model të ngjashëm në zona të tjera të Shqipërisë.

Projekti parashikon ngritjen dhe fuqizimin e shërbimeve të ortopedisë, fizioterapisë dhe rehabilitimit, zgjerimin e kapaciteteve kirurgjikale dhe anestezi-reanimacionit, si dhe mbështetje me telemjekësi për imazherinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë