Politike

Integrimi, Rama nga Brukseli: Shqipëria gati për të qenë anëtare me të drejta të plota

Gazeta Si – Pak para nisjes së konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel nbrëmjen e kësaj të marte, 26 maj, kryeministri Rama tha se Shqipëria ka punuar fort dhe gjatë për të qenë në këtë moment historik ku ndodhet sot, dhe për të vijuar më tej me procesin e integrimit.

“Një moment i rëndësishëm për anëtarësimin, për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Është një moment ku gjysma e punës nëse do e them kështu, ku gjysma e kapitujve të hapur do mbyllet dhe gjysma tjetër e mbyllur do hapet”, tha ai.

I pyetur në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së ai tha se ai ka qenë gjithmonë me qasjen që Unioni të shtrihej më tej.

“Unë në fakt kam qenë, i kam përmendur, kam qenë kampion i qasjeve të ndryshme në të kaluarën sepse kam mësuar se kapaciteti për të vazhduar zgjerimin siç ka ndodhur më parë, nuk është aty në kryeqytetet e rëndësishme dhe nga ana tjetër është e qartë se nëse bëhet siç duhet është gjeja e duhur, duhet të konceptohet ashtu siç duhet, nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë, por me një union realpolitik dhe një rrugëtim të anëtarësimit me të drejta të plota”, u shpreh ai.

Kurse për çështjen e vetos në BE për anëtarësimet apo anëtarësimin e Shqipërisë pa të drejtë vetoje, ai shpjegoi se shqiptarët janë fanatikë të BE-së dhe s’mund t’i vendosin veto Unionit.

“Nuk kemi kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto. Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE, kështu që nuk ndjejmë kënaqësi që të kemi veto, duke qenë vendi më pro BE-së dhe euroatlantik evropian, ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, përfundoi Rama.

Sot (26 maj) nis edhe faza e mbylljes së kapitujve negociues. Konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel lidhet me raportin e IBAR dhe nisjen e fazës përmbyllëse të negociatave dhe grupkapitujve për Shqipërinë.

Në këtë mënyrë Shqipëria zhvillon konferencën e dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian për grupkapitullin e “Themeloreve”, që është një hap drejt procesit të rëndësishëm për mbylljen e plotë të negociatave deri në vitin 2027, afat i vendosur nga Brukseli.

Konferenca ndërqeveritare vjen pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmon plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcakton Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë