Ka ndodhur

Shpërthim me tritol pranë një marketi në Tiranë, dyshohet për hakmarrje

Gazeta Si – Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në zonën e “Kodrës së Priftit” në kryeqytet pranë ‘Kinotudios’ gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të hënë.

Sipas policisë, rreth orës 04:15, në rrugën “Ramazan Gaxheri”, në pjesën e jashtme të një marketi, dyshohet se te motori i kondicionerit, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse.

Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk ka persona të lënduar. Sipas informacioneve paraprake, marketi në Shkozë është në pronësi të shtetasit L.L., babait të dy djemve të shpallur në kërkim për atentatin e një jave më parë të ndodhur në Shkozë, ku mbeti i plagosur në këmbë një polic.

Gjithnjë sipas informacioneve, shënjestër e atentatit ishte fqinji i tij, i cili ndodhej në “arrest shtëpie”.

Ngjitur me marketin ndodhet edhe një lokal, i cili është në pronësi të vëllait tjetër të dy vëllezërve në kërkim.

Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje e atentatit të 18 majit, megjithatë deri tani nuk dihet autori. Ai është i maskuar mirë dhe largohet nëpër rrugica në këmbë.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rreth zonës, ka rezultuar se autor i kësaj ngjarjeje është një person ende i paidentifikuar, i cili ka qenë i maskuar.

Ai është afruar me shpejtësi pranë biznesit, ka lënë një sasi të vogël lënde plasëse pranë derës dhe më pas është larguar menjëherë.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor për të kryer ekspertizën dhe për të mbledhur provat materiale.

Dyshohet se shkak për këtë sulm me eksploziv janë disa konflikte të mëparshme në të cilat ka qenë i përfshirë pronari i bar-kafesë.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë