Nga Gazeta ‘Si’ – Administrata Tatimore ka shtuar kontrollet në tregun e pasurive të paluajtshme, duke zbuluar raste të dyshuara për fshehje të ardhurash dhe evazion fiskal në disa agjenci imobiliare që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, verifikimet janë përqendruar në krahasimin e aktivitetit real ekonomik të subjekteve me deklarimet e dorëzuara pranë autoriteteve tatimore. Nga kontrollet intensive janë konstatuar skema të dyshuara të mosdeklarimit të komisioneve dhe raportim jo i plotë i transaksioneve të shitblerjes së pronave.
Administrata bën të ditur se, pas analizimit të të dhënave të sekuestruara nga sistemi kompjuterik i subjektit kryesor që administronte databazën qendrore të shitjeve, janë evidentuar rreth 5.4 milionë euro të ardhura të padeklaruara nga komisionet.
Nga hetimet paraprake rezulton se një rrjet agjencish imobiliare që funksionon me model franchise, me mbi 25 zyra në Tiranë, Sarandë, Lezhë dhe Vlorë, dyshohet se ka shmangur detyrimet tatimore përmes fshehjes së të ardhurave nga komisionet.
Tatimet sqarojnë se ky është rasti i dytë i përfunduar në kuadër të këtij operacioni, ndërsa Drejtoria e Hetimit Tatimor po vijon analizën dhe verifikimet edhe për subjekte të tjera, ku priten zhvillime të reja.
Në deklaratën zyrtare theksohet se Administrata Tatimore mbetet e vendosur në luftën kundër evazionit fiskal dhe fshehjes së të ardhurave, me qëllim garantimin e konkurrencës së ndershme, transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje