Nga Gazeta Si- Një studim i madh global, i publikuar në revistën, ka analizuar të dhëna nga 232 milionë njerëz në rreth 200 vende për periudhën 1980–2024, duke nxjerrë në pah një tablo të pabarabartë të obezitetit në botë.
Sipas gjetjeve, normat e obezitetit janë stabilizuar ose kanë shfaqur rënie të lehtë në shumë vende të pasura, veçanërisht në Europën Perëndimore por vazhdojnë të rriten në pjesë të tjera të ëbotës.
Tek fëmijët, ky ngadalësim ka nisur që në vitet 1990, ndërsa tek të rriturit ka ardhur me një vonesë prej rreth një dekade. Në vende si Franca, Italia dhe Portugalia janë vërejtur edhe përmirësime të lehta, ndërsa në përgjithësi në Europën Perëndimore obeziteti tek të rriturit mbetet nën 25%.
Në kontrast, vende si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanada vazhdojnë të kenë nivele më të larta, deri në 43%.
Ndërkohë, situata është shumë më shqetësuese në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në rajone si Afrika Sub-Sahariane, Azia Jugore dhe Amerika Latine, obeziteti po rritet me ritme të shpejta, madje në disa vende edhe duke u përshpejtuar. Në vende të Ishujve të Paqësorit si Tonga, mbi 65% e të rriturve janë obezë, ndërsa rritje të ndjeshme po regjistrohen edhe në vende ku më parë obeziteti ishte i rrallë, si Etiopia, Ruanda dhe Bangladeshi.
Studimi sfidon idenë e një “epidemie globale” të vetme të obezitetit, duke theksuar se trendet ndryshojnë ndjeshëm sipas vendeve, moshës dhe gjinisë. Faktorët që ndikojnë përfshijnë përhapjen e ushqimeve ultra të përpunuara, ndryshimet në stilin e jetesës, nivelet e të ardhurave dhe politikat shëndetësore.
Autorët theksojnë se nuk ka një zgjidhje unike për të gjitha vendet.
Politikat si taksat mbi sheqerin kanë treguar efekt, por të kufizuar, ndërsa kërkohen strategji të përshtatura për çdo vend.
Gjithashtu, medikamentet për humbje peshe mund të luajnë rol në të ardhmen, por kostot e larta rrezikojnë të thellojnë pabarazitë.
Në përfundim, studimi paralajmëron se pa ndërhyrje më të forta dhe të targetuara, shumë vende në zhvillim rrezikojnë të përballen me nivele të larta obeziteti për dekada, duke rënduar ndjeshëm sistemet e tyre shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje