Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në “festën madhështore” të 20-vjetorit të pavarësisë të Malit të Zi.
“Unë nuk do të shkoj në festimin madhështor të shkëputjes nga Serbia ime,” tha Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
“Do të turpërohesha dhe do të pështyja në fytyrë veten dhe popullin tim, ndërsa ata le të festojnë çfarë të duan,” theksoi Vuçiç.
“Shoh që janë shumë të lumtur që janë larguar nga serbët dhe Serbia, u uroj fatin më të mirë,” tha Vuçiç dhe shtoi se, sado e çuditshme të jetë sipas tij, nuk është as e çuditshme dhe as befasuese që Evropa nuk këmbëngul për të drejtën e përdorimit të gjuhës serbe në Mal të Zi, por këmbëngul për gjithçka tjetër.
“Le të vazhdojnë punën e tyre, u uroj gjithë lumturinë e botës, ndërsa Serbia të ecë përpara dhe të arrijë suksese të mëdha në përparimin ekonomik të vendit tonë,” shtoi presidenti serb.
Ministria malazeze e Punëve të Jashtme reagoi duke e quajtur si “retorikë që nuk kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respekt të ndërsjellë mes dy vendeve të njohura ndërkombëtarisht.”
“Ju kujtojmë se Mali i Zi nuk u ‘shkëput’ nga Serbia dhe as nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e Serbisë në kuptimin që presidenti Vuçiç përpiqet ta paraqesë. Përkundrazi, Mali i Zi dhe Serbia ishin anëtarë të barabartë të bashkimit shtetëror të krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe me rikthimin e pavarësisë së tij, Mali i Zi i mundësoi Serbisë të vazhdojë si shtet i pavarur.
Për këtë arsye është e papranueshme dhe politikisht e papërgjegjshme që jubileu i rikthimit të pavarësisë së Malit të Zi të paraqitet si një akt i drejtuar kundër Serbisë ose popullit serb”, thuhet në reagimin zyrtar.
Sipas deklaratës, Mali i Zi nuk feston pavarësinë kundër askujt por në nder të vullnetit të shprehur lirshëm të qytetarëve të tij, të veçantisë së tij historike, shtetërore dhe identitare, si dhe të drejtës së çdo kombi për të vendosur në mënyrë demokratike për të ardhmen e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje