Nga Gazeta ‘SI‘ – Agjencia e Inteligjencës Financiare ka publikuar raportin e 2025-s, ku detajon edhe rastet më flagrantë të pastrimit të parave.
Sipas raportit, tregu imobiliar mbetet “lavatriçja” më e madhe e parave të pista në Shqipëri dhe shtresëzimi i transfertave, pra dërgesa parash në disa destinacione për të fshehur burimin e vërtetë.
Ajo që bie në sy në raport është fakti se gjatë vitit 2025, AIF nuk evidenton raste të pastrimit të parave përmes kriptomonedhave, ndonëse në të njëjtën periudhë SPAK ka sekuestruar rreth 15 milionë euro në asete kripto. Lufta ndaj përdorimit të kriptomonedhave si kanal për pastrim parash mbetet gjithashtu një nga detyrat kryesore të lëna nga Moneyval për Shqipërinë, në kuadër të forcimit të mekanizmave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Një nga rastet e publikuara lidhet me një ish-zyrtar të dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Sipas AIF, gjatë vitit 2024 ai ka prenotuar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 155 mijë euro. Hetimet financiare treguan se fondet ishin siguruar përmes transfertave dhe depozitimeve nga persona të tretë, të justifikuara si hua, dhurime apo likuidime borxhesh, por me lidhje të paqarta mes palëve. Dyshimet u shtuan për shkak të çmimeve të blerjes nën vlerën e tregut, strukturimit të pagesave dhe burimeve të paqarta të financimit, çka bëri që rasti t’u referohej organeve ligjzbatuese për hetime të mëtejshme.

Një tjetër rast i evidentuar nga AIF është ai i një 18-vjeçareje shqiptare, e cila rezulton të ketë përfituar një vilë në bregdet me vlerë 1.5 milion euro, e dhuruar nga motra e saj, shtetasja B. Kjo e fundit, 40 vjeç dhe rezidente në një juridiksion me lehtësira fiskale, gjatë vitit 2025 ka investuar në Shqipëri disa milionë euro në pasuri të paluajtshme dhe vepra arti. Mes investimeve përfshihen një vilë luksoze në bregdet me vlerë 1.7 milion euro dhe blerje veprash arti me vlerë rreth 700 mijë euro.
Sipas raportit, fondet janë transferuar nga llogari bankare në vende me risk të lartë për korrupsion dhe ekonomi informale, ndërsa burimi i tyre lidhej me kompani offshore që operonin në sektorin e lojërave online. Verifikimet e kryera evidentuan mospërputhje mbi aktivitetin real të kompanive, përdorimin e juridiksioneve të shumëfishta për qarkullimin e fondeve, si dhe lidhje familjare me persona të përfshirë në krim të organizuar. Për shkak të dyshimeve për fshehje të origjinës së fondeve dhe pastrim parash, edhe ky rast iu referua organeve të zbatimit të ligjit për hetime të mëtejshme.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje