Shendet

Raporti: Mbetjet spitalore në Shqipëri ruhen jashtë çdo standardi

Nga Gazeta Si- Gati 5 mijë kontrolle në një vit dhe i njëjti përfundim: problemet në sistemin shëndetësor mbeten të thella dhe të përsëritura. Raporti i Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor për vitin 2025 nxjerr në pah se, përtej mungesave në infrastrukturë dhe organizim, një nga çështjet më kritike vazhdon të jetë menaxhimi i mbetjeve spitalore, që në shumë raste trajtohen jashtë standardeve të sigurisë.

Sipas të dhënave të inspektimeve, procedurat për administrimin e mbetjeve spitalore shpesh nuk respektohen. Janë evidentuar mangësi serioze në trajnimin e personelit që merret me trajtimin e tyre, si dhe në ndarjen në burim, etiketimin dhe regjistrimin e mbetjeve.

Në disa raste, mbetjet janë grumbulluar në ambiente të papërshtatshme, si korridore apo tualete, madje në të njëjtën hapësirë me mbetjet urbane dhe pajisjet e pastrimit.

Problematike mbetet edhe infrastruktura për transportimin dhe magazinimin e mbetjeve, ku mungojnë kushtet e duhura për lëvizjen e tyre nga pika provizore deri te ajo qendrore, ndërsa magazinimi i përkohshëm brenda territorit të spitaleve kryhet shpesh jashtë çdo standardi.

Gjithashtu, punonjësit që operojnë në trajtimin e mbetjeve nuk janë të pajisur me veshjet dhe masat mbrojtëse të nevojshme, duke rritur rrezikun për shëndetin e tyre dhe të pacientëve.

Përtej mbetjeve spitalore, inspektimet kanë evidentuar edhe mangësi të theksuara në funksionimin e spitaleve. Një problem i rëndësishëm lidhet me mungesën e dokumentacionit dhe rregulloreve të brendshme, si dhe të protokolleve për shërbimet dhe procedurat mjekësore.

Në Shërbimin e Urgjencës, ndarja e zonave dhe klasifikimi i rasteve sipas kodeve përkatëse nuk është gjithmonë funksionale, ndërsa infrastruktura dhe ambientet plotësojnë vetëm pjesërisht standardet higjieno-sanitare.

Një tjetër shqetësim është mungesa e kushteve për trajnimin dhe edukimin profesional të stafit, veçanërisht në lidhje me zbatimin e protokolleve dhe rregulloreve të brendshme.

Mangësi janë konstatuar edhe në shërbimet mbështetëse si pastrimi, kuzhina, lavanderia dhe hoteleria, si dhe në depot farmaceutike, ku nuk respektohen standardet infrastrukturore dhe procedurat për medikamentet e skaduara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë