Nga Gazeta ‘SI’- Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, IKMT ka konfirmuar lajmet e fundit në media se objektet e ndërtuara në “Durrës Marina” janë fundosur.
Në një deklaratë zyrtare, IKMT bën të ditur se dy pallate të ndërtuar në zonën e portit të qytetit, janë zhytur me 28 dhe 18 cm.
Në vijim të këtyre gjetjeve, IKMT i ka kërkuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekteve të nevojshme të përforcimit teknik, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së strukturave. Sipas institucionit, këto ndërhyrje duhet të miratohen paraprakisht nga autoritetet përgjegjëse, për të siguruar përputhshmërinë me kushtet teknike të planifikimit dhe ndërtimit.
Pallatet, të ndërtuara me leje të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), janë pjesë e projektit gjigant të biznesmenit Mohammed Alabbar, i cili synon transformimin e portit të Durrësit në një marinë jahtesh dhe destinacion luksoz.
Denoncimi i parë erdhi nga emisioni investigativ “Piranjat”, të cilët raportuan me anë të burimeve, se godinat janë zhytyr me 74 cm.
Një pjesë e konsiderueshme e apartamenteve janë shitur ende pa përfunduar ndërtimi, me çmime reference që nisnin nga 2 mijë euro për metër katror.
Projekti, i kundërshtuar prej kohësh nga ekspertë të pavarur dhe opozita, është mbrojtur publikisht nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar si një transformim rrënjësor që synon ta vendosë Shqipërinë në hartën e porteve elitare ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje