Menaxhim

Arsimi parashkollor në Shqipëri, privilegj për shumicën e familjeve

Nga Gazeta ‘SI’- Në Shqipëri, arsimi dhe kujdesi parashkollor mbetet i kushtueshëm dhe i kufizuar, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta. Kostot e kujdesit privat për fëmijët mund të konsumojnë deri në 40% të të ardhurave familjare, duke e renditur Shqipërinë ndër më të shtrenjtat në rajon.

Përdorimi i çerdheve dhe kopshteve është dukshëm më i lartë në qytete sesa në fshat. Rreth 60% e familjeve urbane përdorin shërbime kujdesi për fëmijët, krahasuar me vetëm 30% në zonat rurale. Gjithashtu, familjet me të ardhura më të larta kanë më shumë mundësi të përfitojnë nga kujdesi formal për fëmijët sesa familjet më të varfra.

Përveç faktorëve ekonomikë, ndikojnë edhe normat sociale dhe kulturore. Shumë familje shqiptare preferojnë që fëmijët të kujdesen në shtëpi nga nëna, gjyshërit ose familjarë të tjerë, duke e konsideruar kujdesin për fëmijët si përgjegjësi kryesisht të grave. Kjo ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, pasi shumë nëna detyrohen të qëndrojnë jashtë punësimit ose të zgjedhin punë më fleksibël.

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria paraqitet në një pozicion më të mirë se Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, ku mungesa e infrastrukturës dhe kostot janë edhe më problematike. Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha në të gjithë rajonin, sidomos për garantimin e aksesit të barabartë dhe të përballueshëm në arsimin e hershëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë