Shendet

ISHP për Hantavirusin: Nuk ka vend për panik, transmetohet rrallë nga njeriu te njeriu

Nga Gazeta Si- Nuk ka asnjë rast të prezencës së hantavirusit në Shqipëri. Kështu deklaron në një dalje për mediat Artan Simaku, epidemiolog në ISHP.

Sipas tij, hantavirusi transmetohet rrallë nga njeriu te njeriu dhe nuk ka vend për panik e as rrezik për pandemi.

“Nuk ka fare rrezik. Risku për Shqipërinë dhe kontinentin është shumë i ulët. Nuk ka asnjë lloj kufizimi të udhëtimeve dhe tregtisë, jo vetëm për shqiptarët por edhe për europianët. Vlerësimi bazohet në disa kritere, së pari sepse nisur nga shpërthimi në anijen turistike, lloji i brejtësit që është zbuluar nuk ekziston në Europë dhe Shqipëri”, thotë Simaku, duke shtuar se hantaviruset janë një grup dhe lloji i zbuluar në anije transmetohen vetëm në kontakte të ngushta dhe të gjata familjare nga njeriu tek njeriu.

“Llojet e tjera që qarkullojnë nuk transmetohen mes njerëzve. Po marrim masa që nëse do të kemi një rast, ai do të izolohet dhe do të gjurmohet”.

Simaku tha se janë marrë masat, si përforcimi i survejancës në lidhje me raste të dyshuara, shpërndarja e informacionet në të gjithë shërbimet e sëmundjeve infektive në të gjithë vendin si dhe në të gjitha hyrjet detare e tokësore e ajrore.

“Themi se nuk ka fare vend për panik. Nuk ka shans fare për pandemi, rreziku për shpërthime të lokalizuara është shumë i ulët.”, tha zyrtari i ISHP.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë