Menaxhim

Prokurimet publike, Rama: Po ndërtojmë një sistem elektronik me ndihmën e ministres Diella

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama njoftoi sot për ngritjen e një sistemi elektronik dedikuar prokurimeve publike, me ndihmë të ministres Diella dhe me dakordësinë e Bankës Botërore.

Rama tha se nëpërmjet inteligjencës artificiale, të gjitha procedurat do të zhvillohen online dhe i gjithë procesi do të jetë transparent dhe i gjurmueshëm, të menaxhuar nga algoritme inteligjente.

“Asnjë biznes nuk do detyrohet të mbledhë letra, asnjë nëpunës të mos ketë në dorë të luajë me letrat e biznesit, por të gjitha të dhënat të mblidhen nga Diella përmes mbi 40 regjistrave publikë. Më pas, të jenë në dorën e biznesit për t’i aktivizuar vetëm me një klik. Një proces që do të shkojë nga studimi i tregut te dorëzimi i ofertave, monitorimi i kontratave dhe çdo ndërveprim do të jetë në ekran, transparent dhe i gjurmueshëm. Diella do ta bëjë të gjithë këtë volum me algoritmet e AI-së në mënyrë të paanshme. Do të jemi tërësisht në një fazë tjetër dhe brenda këtij mandati.

Diella do të shënojë kapërcimin nga një epokë në tjetrën të të bërit biznes. Është një përmbysje totale e një sistemi dhe një reflektim i Shqipërisë në Shqipëri i gjithë asaj që teknologjia u jep vendeve, dhe mbi të gjitha vendeve në zhvillim si i yni”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi sistemin e prokurimeve duke thënë se në këtë aspekt jemi tashmë “anëtarë të BE-së”.

“Prokurimet publike nuk janë te piketa të ndërmjetme. Kjo d.m.th. që ne në prokurime jemi një vend anëtar i BE. Kjo d.m.th. që tenderat në Shqipëri ndryshme sesi përflitet pafundësisht duke u bërë target në bazë të gjysmë të vërtetash, merret një fakt që nuk është gënjeshtër dhe pastaj ngritët një lukuni për të kthyer përmbys punën që është bërë në këtë fushë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Kryeministri përmendi Jonaid Myzyrin si njeriu që “transformoi prokurimet publike dhe u baltos nga sistemi i drejtësisë”.

“Më lejoni të sjell në vëmendje faktin se njeriu që transformoi prokurimin publik u bë target i baltës, pasi për arsye siç ndodh me një shtet me drejtësi të pavarur, u mor nën hetim, si rezultat i hetimit rezultoi pa lidhje me asnjë lloj faji apo problemi. Por, balta që iu hodh iu hodh për të shkatërruar personalisht dhe familjarisht, e bëri të vetën dhe nuk më ka rënë në sy asnjë lloj reflektimi apo kërkese ndjese nga askush lidhur me atë që i bënë atij njeriu. Në këtë proces, ne kemi bërë transformimin epokal”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë