Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë përballjes së sotme me mediat, kryeministri Edi Rama foli për ligjin e shumëdiskutuar të porteve turistike, duke theksuar se nuk do të ketë heqje gare për koncesionet.
Rama tha se ky ligj shmang konfliktet e mundshme që mund të lindin midis investitorëve.
“Së pari, nuk kemi bërë ndryshime ligjore për portet. Është bërë vetëm një ndryshim për të hequr një pasojë absurde. Ndryshimi nuk lidhet fare me garat, zero! Nëse ne duam të japim një koncesion apo të krijojmë një partneritet për ndërtimin e një porti, absolutisht që kjo do të bëhet me garë. Ndryshimi ka të bëjë me rastin kur dikush investon për një resort turistik dhe dëshiron të ndërtojë edhe një marinë pranë tij. Me ligjin e pandryshuar, për marinën që investitori do të ndërtonte pranë resortit të vet, duhej të hapej garë, që të vinte një tjetër dhe të niste një konflikt që nuk do të mbaronte kurrë. Kjo është një situatë që nuk ekziston në asnjë vend të Europës”, tha ai.
Ai foli edhe për raportin e IBAR, që shqyrtohet nesër në KE, duke thënë se Komisioni është dakord me progresin e Shqipërisë.
“Është dakord që ne i kemi plotësuar 100% të gjitha detyrat për të hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. 27 vende anëtare bëjnë pyetjet e tyre, shqetësimet e tyre nuk lidhen me piketat e ndërmjetme, por me piketat përmbyllëse. Nuk mund ta ndryshojnë atë që është bërë dhe atë që Komisioni ka vënë përpara. Kur të vijë fundi, të kthehen dhe të thonë ne kemi dashur që Shqipëria të bëjë më shumë progress në këtë x gjë. Ajo që po ndodh në Bruksel është plotësisht brenda parashikimeve, nuk ka asgjë nga ajo që i është rrokanisur popullit shqiptar, u bllokua, doli ky e doli ai, gjë që çoi deri në daljen e flamujve të Gjermanisë në krahun e molotovarëve. Kjo është lehtësisht e verifikueshme”, tha kreu i qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje