Sociale

Tragjedia në Durrës – A është Shqipëria gati për më pak kontrolle policore në rrugë?

Nga Gazeta ‘Si’-  Vendimi për të reduktuar praninë e kontrolleve të policisë rrugore është rikthyer në qendër të debatit publik, jo për atë që parashikon, por për momentin kur u ndje efekti i tij.

Vetëm pak ditë pas këtij urdhri të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita fill sapo ky i fundit mori detyrën, ndodhi tragjedia në Durrës ku Nikoll Radaçi përplasi për vdekje dy të mitur.

Ndonëse është ende herët për të thënë nëse kjo përputhje në kohë është thjesht një koincidencë e momentit apo një pasojë indirekte e kësaj qasjeje më të zbutur ndaj kontrollit në rrugë, një gjë duhet të mbetet e padiskutueshme: mungesa e kontrollit në terren krijon gjithmonë një hapësirë më të madhe rreziku.

Dhe për këtë, bien në një mendje edhe ekspertët e sigurisë rrugore.

Në një vend si Shqipëria, të cilin ata e konsiderojnë me një nivel të ulët vetëdisipline rrugore, respektimi i rregullave nuk vjen automatikisht por shpesh si pasojë e frikës nga ndëshkimi.

Prania e policisë në terren ka efekt të menjëhershëm parandalues dhe kontrolli fizik është psikologjik: kur një drejtues mjeti sheh patrullë në rrugë e bën të ulë shpejtësinë dhe të respektojë rregullat.

Dhe ajo që është e panegociueshme për ta, është fakti se çdo ulje e kontrollit fizik duhet të shoqërohet me masa të tjera. Nëse reduktohet njëra hallkë dhe nuk forcohen të tjerat, krijohet një boshllëk i rrezikshëm.

Sipas tyre, në mungesë të kontrollit policor, duhet të veprohet si në shumicën e vendeve europiane, ku ky kontroll nuk mbështetet vetëm tek policia. Kamera inteligjente, radarë shpejtësie, sisteme automatike të gjobitjes dhe monitorimit janë bërë shtylla kryesore e sigurisë.

Këto sisteme që funksionojnë 24 orë në ditë, nuk ndikohen nga faktorë njerëzorë dhe krijojnë një ndjenjë të vazhdueshme mbikëqyrjeje.

Por megjithatë, këto nuk duhet të jenë masat e vetme.

Eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha, vëren se në Shqipëri mungojnë mekanizmat e tjerë paralelë të kontrollit dhe parandalimit.

Ai sjell si shembull vendet nordike, si Suedia, ku është ndërtuar një program i detajuar për objektivin “aksidente zero”, i shoqëruar me ndërhyrje konkrete në infrastrukturë, nga rregullimi i këndeve të rrezikshme të rrugëve deri tek sinjalistika, që sipas tij në Shqipëri shpesh është larg standardeve.

Sipas Hoxhës, ne duhet të kopjojmë këto modele që bota ‘na i ka dhënë peshqesh’ në mënyrë që të mos kemi përsëritje të këtyre ngjarjeve tragjike.

Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore

Një tjetër kritikë e fortë e tij lidhet edhe me strukturën e policisë.

Hoxha argumenton se Shqipëria ka një model të kufizuar krahasuar me shumë vende të tjera europiane dhe se duhet të mendohet për një “pluralizëm policor”, përfshirë modele si xhandarmëria, me më shumë kompetenca dhe prani të diferencuar në territor.

“Ne kemi një polici ndërkohë që e gjithë bota ka nga disa polici. Ne duhet të kemi dy polici. Siç kemi marrë Kodin Penal nga Italia, duhej të merrej edhe struktura që e shoqëron.

Duhet të marrim xhandarmërinë si forcë policore-ushtarake që të jetë konkurruese me policinë e shtetit.  Xhandarmëria ka kompetenca më shumë se policia e shtetit, ajo prevalon. Është i domosdoshëm pluralizmi policor që ne nuk e bëjmë për shkak korrupsioni”, shton ai.

Hoxha argumenton se në raste të shkeljeve të përsëritura, sidomos për shpejtësi apo përdorim alkooli, siç ishte rasti në Durrës, masa duhet të jetë ekstreme: heqja e përhershme e lejes së drejtimit.

“Kur drejtuesi i mjetit na qenka dënuar dy herë për shpejtësi, atëherë duhet të fillojmë të veprojmë ndryshe. Duhet t’i hiqet patenta për gjithë jetën, siç kemi ligjin me armët. Sepse makina ‘është armë’ dhe atij duhet t’i hiqet leja e qarkullimit”, vëren ai.

Eksperti përveçse është kundër uljes së kontrollove në rrugë, kritikon edhe mënyrën e këtij kontrolli rrugor, duke thënë se në disa raste ai perceptohet si i orientuar drejt gjobitjes dhe jo parandalimit.

Sipas tij, duhet të merret një plan më i gjerë masash në mënyrë që sistemi të mos lejojë këto ‘rastësi’ të bëhen të mundshme.

Siguria rrugore nuk duhet të matet më me reagimet pas ngjarjeve tragjike, por me faktin nëse ato aksidente mund të ishin parandaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë