Shendet

A i parandalon pirja e ujit gurët në veshka?

Rritja e hidratimit konsiderohet mënyra më e mirë për të parandaluar gurët në veshka. Një studim i ri sugjeron se nuk është aq e lehtë.

Nga Gazeta ‘Si’– Për vite me radhë, këshilla kryesore për parandalimin e gurëve në veshka ka qenë e thjeshtë: pini më shumë ujë.

Hidratimi i shtuar konsiderohet mënyra më e rëndësishme për të parandaluar formimin e gurëve, duke ndihmuar në hollimin e urinës dhe pengimin e kristalizimit të mineraleve.

Por një studim i fundit mbi efektivitetin e programeve të hidratimit ka sjellë disa nuanca të rëndësishme.

Në një provë të madhe klinike me mbi 1.600 persona që kishin histori me gurë në veshka, pjesëmarrësit u inkurajuan të rrisnin marrjen e lëngjeve përmes shisheve “smart”, monitorimit dhe madje edhe stimujve financiarë.

Megjithatë, rezultatet treguan se, edhe pse ata rritën konsumin e ujit, nuk pati një ulje të ndjeshme të formimit të gurëve krahasuar me grupin kontroll.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se hidratimi nuk ndihmon.

Më shumë gjasa ka që pjesëmarrësit nuk arritën nivelin e nevojshëm të hidratimit për të parë një efekt të qartë. Ekspertët theksojnë se qëllimi ideal është prodhimi i të paktën 2.5 litra urine në ditë -një tregues praktik i hidratimit të mjaftueshëm.

Megjithatë, edhe arritja e këtij objektivi nuk është gjithmonë e lehtë. Në studim, pjesëmarrësit arritën mesatarisht vetëm rreth 1.8 litra urine në ditë, nën nivelin e rekomanduar. Sipas specialistëve, kjo mund të shpjegojë pse nuk u pa një ulje e qartë e gurëve.

Gurët në veshka formohen kur mineralet dhe kripërat në urinë kristalizohen. Ato mund të jenë të vogla si një kokërr rëre ose më të mëdha, dhe dhimbja zakonisht vjen kur ato bllokojnë ureterin- kanalin që lidh veshkën me fshikëzën.

Kjo shkakton spazma të forta dhe presion në veshkë, duke krijuar dhimbje ekstreme në shpinë dhe bark, shpesh të shoqëruara me të përziera.

Lloji më i zakonshëm i gurëve është ai me bazë kalciumi (oksalat kalciumi), që formohet kur ka shumë kalcium dhe oksalat në urinë dhe pak lëngje për t’i holluar. Në raste më të rralla, gurët mund të formohen nga acidi urik, shpesh i lidhur me dieta të pasura me mish ose me sëmundje të caktuara metabolike.

Në përgjithësi, faktorët e rrezikut përfshijnë dehidratimin kronik, historinë familjare, disa kushte gjenetike dhe madje edhe klima të nxehta.

Përveç hidratimit, ekspertët rekomandojnë edhe ndryshime në dietë.

Reduktimi i kripës dhe i ushqimeve shumë të përpunuara ndihmon, ndërsa marrja e kalciumit nga ushqimi është e rëndësishme dhe nuk duhet shmangur- një keqkuptim i zakonshëm është se kalciumi “shkakton” gurët, ndërkohë që mungesa e tij mund ta rrisë rrezikun.

Po ashtu, kufizimi i ushqimeve të pasura me oksalat si spinaqi, bajamet dhe çokollata e zezë mund të jetë i dobishëm për disa persona.

Konsumimi i frutave agrume, si limoni, mund të ndihmojë gjithashtu, pasi rrit nivelet e citratit në urinë, një substancë që pengon formimin e kristaleve.

Në raste më të komplikuara, përdoren edhe medikamente që ndryshojnë përbërjen e urinës ose ulin sasinë e kalciumit që eliminohet.

Megjithatë, efektiviteti i tyre ndryshon nga personi në person dhe kërkon mbikëqyrje mjekësore.

Hidratimi i mirë është thelbësor, por nuk është gjithmonë i mjaftueshëm vetë.

Parandalimi i gurëve në veshka kërkon një kombinim të ujit të mjaftueshëm, dietës së balancuar dhe, në disa raste, trajtimit të personalizuar nga specialistët./ Washington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë